Edhe një herë tjetër, të nëntëmbëdhjetën, seanca konstituive e Kuvendit u ndërpre. Skenari i njëjtë.
Tentimi i LVV-së për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit nuk kaloi. 54 deputetë votuan për, një kundër. Abstenime nuk pati.
LVV-ja po insiston në propozimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, dhe pasi ajo dështoi disa herë t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur, po propozon çdo dy ditë formimin e një komisioni për votim të fshehtë, i cili gjithashtu nuk po i merr votat e nevojshme.
Kryesuesi i seancës, deputeti i LVV-së, Avni Dehari e ndërpreu seancën, duke njoftuar vazhdimin e saj pasnesër.
“Ndërpritet seanca, takohemi më 23 maj në orën 11:00”, tha Dehari.