Shkencëtarët australianë kanë zbuluar një specie të re vendase bletësh me brirë të vegjël – dhe i kanë dhënë një emër që i përshtatet djallëzisht.
Studiuesit e gjetën Megachile Lucifer teksa po vëzhgonin një lule të rrallë të egër që rritet vetëm në vargmalet Bremer, në rajonin e Goldfields të Australisë Perëndimore, 470 km (292 milje) në lindje të Perthit, shkruan BBC.
“Brirët shumë të dallueshëm dhe të theksuar” gjenden vetëm te bleta femër dhe mund të përdoren si mekanizëm mbrojtës, për mbledhjen e polenit ose nektarit, apo për grumbullimin e materialeve si rrëshira për fole.
Shkencëtarja që udhëhoqi studimin tha se u frymëzua ta përdorte emrin Lucifer pasi në atë kohë po shikonte serialin e Netflix-it me të njëjtin emër. Ajo shton se kjo është anëtarja e parë e re e këtij grupi bletësh pas 20 vitesh.
“Femra kishte këta brirë të vegjël mahnitës në fytyrë”, tha Dr. Kit Prendergast nga Universiteti Curtin.
“Ndërsa po shkruaja përshkrimin e specieve të reja, po shikoja serialin Lucifer në Netflix dhe emri thjesht iu përshtat në mënyrë të përkryer. Jam gjithashtu një fanse e madhe e personazhit Lucifer në Netflix, kështu që ishte një zgjedhje e vetëkuptueshme”.