Blerim Vuniqi e lavdëron organizimin e Kupës në basketboll, i zbulon favoritët për titull kampioni - Gazeta Express
string(97) "blerim-vuniqi-e-lavderon-organizimin-e-kupes-ne-basketboll-i-zbulon-favoritet-per-titull-kampioni"

Blerim Vuniqi e lavdëron organizimin e Kupës në basketboll, i zbulon favoritët për titull kampioni

Basketboll

Gazeta Express

19/02/2024 11:11

Doajeni i gazetarisë sportive të Kosovës, Blerim Vuniqi ishte mbrëmë i ftuar në emisionin “Favorit” në T7.

Krahas temave të ndryshme, në emision u diskutua edhe për basketbollin kosovar, mbi të gjitha pas zhvillimit të “Final 8” në Gjakovë, ku Trepça e fitoi Kupën e Kosovës, shkruan “Gazeta Express”.

Lexo Edhe:

Legjenda e basketbollit e ka analizuar organizimin e ndeshjeve në palestrën e sporteve “Shani Nushi” dhe cilësinë e ndeshjeve.

Ndër të tjera, Vuniqi foli edhe për lojtarët vendorë e të huaj, talentet e basketbollit të këtushëm dhe për favoritët për ta fituar titullin e kampionit të Kosovës në këtë edicion.

“Ishte një spektakël i vërtetë sa u përket të gjitha ndeshjeve të zhvilluara, përpos dy ndeshjeve që nuk ka qenë palestra e mbushur, Trepça – Istogu dhe Prishtina – Prizreni. Ndeshjet tjera kanë qenë për lakmi për organizim. Duhet falënderuar sidomos klubin e basketbollit Vëllaznimi për organizim, por nuk duhet anashkaluar as Federatën e Basketbollit, por edhe Policinë e Kosovës. Duhet falënderuar edhe klubet e tifozëve, të cilat, ndoshta herë pas here e kanë ofenduar njëra-tjetrën. Megjithatë, kanë treguar se aty kanë ardhur për ta përkrahur klubin e tyre, qoftë Prishtinën, qoftë Trepçën, qoftë Bashkimin dhe ekipet tjera. Në Gjakovë mund të them se kemi parë spektakël.”

“Ka pasur edhe ndeshje tjera të mira, por finalja ka qenë spektakël, aksione të bukura, ka pasur gjithçka në atë ndeshje. Duhet përmendur edhe gjyqtarët, të cilët kanë qenë të deleguar nga FIBA. Mendoj që edhe lojtarët, por edhe vetë shikuesit, i kanë respektuar më tepër sesa që i respektojnë gjyqtarët vendorë. Ka pasur reagime gjatë tërë ndeshjes finale nga të dyja palët, por finishi ka mundur ta përcaktojë fituesin. Prishtina i kishte dy mundësi në fund për ta barazuar apo edhe për ta fituar lojën, por mendoj se Trepça me plot meritë ka shënuar fitore.”

“Tani i mbetet ta fitojë edhe titullin e kampionit. Aty po ka vështirësi, është interesant. Megjithatë, e ka një ekip shumë kompakt, një ekip shumë cilësor, me pesë lojtarë që janë të Kombëtares së Kosovës. Në anën tjetër kanë afruar edhe lojtarë cilësorë amerikanë. Mirëpo në radhët e tyre është edhe dirigjenti i kësaj skuadre Beqiragiq, i cili ka treguar në këto vitet e fundit se është trajner shumë cilësor. Me Golden Eagle Yllin i ka fituar dy tituj të kampionit, ndërsa tani do të mundohet edhe Mitrovicës që t’ia sjell titullin.”

“Mitrovicasit e meritojnë këtë fitim të Kupës në bazë të ndeshjeve që i kanë zhvilluar. Ndërkohë, e shohim një Prishtinë krejt ndryshe me këto ardhjet e reja. Mendoj se Prishtina do të tregojë shumë më tepër gjatë kampionatit me këto përforcimet e reja që i ka bërë ditëve të fundit. Do ta shohim një ballafaqim interesim mes katër skuadrave më të mira, Peja, Trepça, Prishtina, Golden Eagle Ylli, por aty mund të jetë edhe Bashkimi. Do të shohim spektakle të tjera, që do të luhen qoftë në Prishtinë, qoftë në Mitrovicë, qoftë edhe në Pejë dhe në vendet tjera.”

“Është një rikthim i basketbollit në shikueshmëri. Po më duket që edhe tifozët e basketbollit e kanë kuptuar që me ofendime e me gjëra të tjera nuk mund ta ndihmojnë skuadrën e tyre, por me përkrahjen çfarë e kemi parë në këtë finale, qoftë nga ‘Plisat’ qoftë nga ‘Torcida’, edhe pse shumë më tepër tifozë mitrovicas ka pasur në palestrën ‘Shani Nushi’. Nuk e di përse organizatori ka përcaktuar që një numër shumë i madh i tifozëve nga Mitrovica të jetë dominant në këtë ndeshje, por kjo nuk e ka zbehur krejt atë spektakël. Uroj që edhe ndeshjet tjera ku tifozeria do të jetë në palestra, të mos ketë largim të tifozëve, por ta shijojnë ashtu si duhet dhe të vazhdohet me këtë shikueshmëri siç ishte në Gjakovë”

“Më duhet ta cek se edhe ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Bashkimit në konkurrencën e femrave ka qenë mjaft interesante. Edhe klubet e basketbollit të femrave po sjellin lojtare nga jashtë dhe kjo ka bërë që të ketë përballje edhe më interesante. Bashkimi e fitoi Kupën, ndërsa Prishtina po ka paraqitje më të zbehta”

“Lojtarët kryesorë të Kosovës fatkeqësisht janë ata që i kanë mbushur 33-34 vjet. Megjithatë, janë disa lojtarë që janë në ardhje, por mund ta përmendi Jon Ismajlin, i cili është njëri prej lojtarëve që pritet më së shumti tek Kosova, luan aktualisht në Çeki.”

“Favoritët për titull? Prishtina, Peja, Ylli dhe Bashkimi, dëshirë e imja është që Prishtina të bëhet kampione. Natyrisht, edhe Trepça, për të cilën prisnin njerëzit që do ta fitonte shumë më lehtë finalen e Kupës me Prishtinën.” /Gazeta Express/