Blake Lively ka bërë një lëvizje befasuese ligjore duke tërhequr akuzat për shkaktim të qëllimshëm dhe të pakujdesshëm të stresit emocional kundër Justin Baldonit, pas presionit të ekipit të tij ligjor për të paraqitur prova mjekësore që mbështesnin pretendimet.
Sipas dokumenteve të siguruara nga DailyMail.com, 37-vjeçarja është përpjekur të shmangë ekspozimin e të dhënave të saj shëndetësore, ndërsa kërkoi të tërhiqte paditë “pa paragjykime”, duke lënë hapur mundësinë që ato të ngrihen sërish në të ardhmen.
Por, ekipi ligjor i Baldonit, 41 vjeç, ka reaguar ashpër, duke i cilësuar veprimet e saj si përpjekje për të manipuluar procesin dhe për të shmangur transparencën, shkruan DailyMail.
“Ne po bëjmë atë që bëjnë avokatët – po përgatitemi për gjyq dhe po përqendrojmë çështjen tonë”, u shpreh një përfaqësues i Lively-t, duke mohuar çdo spekulim se tërheqja ishte një shenjë dobësie. Megjithatë, pretendimet për ngacmim seksual, hakmarrje dhe shpifje ndaj Baldonit mbeten aktive në dosjen e saj.
Në anën tjetër, Baldoni ka ngritur një kundërpadi prej 400 milionë dollarësh (372 milionë euro), duke e akuzuar Lively-n për shpifje dhe dëmtim të reputacionit profesional.
Përplasja ligjore ka përfshirë edhe emra të njohur si Taylor Swift dhe Ryan Reynolds, me pretendime se Lively kishte kërcënuar të përfshinte çiftin në mosmarrëveshje nëse Baldoni nuk do të pranonte ndryshimet në një skenë të filmit “It Ends With Us”.
Thirrjet në gjyq ndaj Swift dhe Reynolds janë rrëzuar ndërkohë, por tensioni mbetet i lartë, veçanërisht pasi u zbulua se një padi fiktive ishte përdorur nga kompania e Lively-t për të siguruar akses në prova kyçe.
Situata është komplikuar më tej nga pretendimet kontradiktore për një incident në xhirime, ku Lively e akuzoi Baldonin për një koment joprofesional. Pamje të papërpunuara zbuluan një version të ndryshëm të ngjarjes, duke vënë në dyshim saktësinë e akuzave të saj.
Baldoni, nga ana e tij, ka përforcuar ekipin ligjor me avokaten e njohur Ellyn S. Garofalo, e cila ka punuar më parë me firmën e përfaqësuar nga Swift, duke ngritur pikëpyetje të reja për rolin e këngëtares në këtë konflikt gjithnjë e më të ndërlikuar.
Përplasja mes dy aktorëve kryesorë të filmit “It Ends With Us” duket se është larg fundit – ndërsa drama ligjore, mediatike dhe personale vazhdon të tërheqë vëmendjen e publikut dhe të trazojë botën e Hollywood-it. /Telegrafi/
aaaaa