Mihal Delijorgji, ish-administrator i kompanisë “Alba Demil” i thirrur nga SPAK, është paraqitur në seancën në GJKKO ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediut për dosjen “Gërdeci”.
Ai refuzoi të dëshmojë në gjyq duke shfrytëzuar të drejtën që i jep ligji.
Më pas avokatët dhe prokuria kërkuan që të administrohen në dosjen gjyqësore dëshmitë e dhëna më herët prej tij si person nën hetim dhe i pandehur.
Edhe në këtë seancë, nuk u paraqit Anjola Agolli, ish sekretare e ministrisë së Drejtësisë, Denis Hajdar dhe Luan Hoxha. Për Denis Hajdarin prokuroria kërkoi shoqërimin e detyrueshëm pasi ka marrë dijeni dhe nuk është paraqitur. Ndërsa për Anjolla Agollin e Luan Hoxhën të vijojë kërkimi.
Në seancë Fatmir Mediu i kërkoi Gjykatës të sqaronte vendimin që ka marrë për mënyrën e marrjes së dëshmive të shtetasve amerikan, me videokonferencë, ndërsa gjykata tha se deri më tani është në fuqi vendimi që dëshmia e tyre të bëhet me letërporosi.
Seanca e radhës u caktua me 9 prill në orën 9.