Bislimi tha se janë shpërndarë mbi 20 mijë, qytetarët në veri thonë se ende nuk kanë pranuar asnjë faturë - Gazeta Express
string(104) "bislimi-tha-se-jane-shperndare-mbi-20-mije-qytetaret-ne-veri-thone-se-ende-nuk-kane-pranuar-asnje-fature"

Lajme

Gazeta Express

10/02/2024 7:30

Bislimi tha se janë shpërndarë mbi 20 mijë, qytetarët në veri thonë se ende nuk kanë pranuar asnjë faturë

Lajme

Gazeta Express

10/02/2024 7:30

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, gjatë raportimit në një komision parlamentar më 26 janar, ka deklaruar se “mbi 20 mijë fatura janë shpërndarë në veri për konsumin e energjisë gjatë muajit janar”.

Pavarësisht deklaratës së Bislimit, disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në komunat në veri, thonë se nuk kanë pranuar asnjë faturë.

Lexo Edhe:

“Nuk e kemi marrë faturën e energjisë elektrike. Flitet për këtë prej muajsh. Ka lloje të ndryshme informacionesh ose keqinformimesh”, thotë Snezhana Ratkoviq nga Leposaviqi.

Ajo thotë se posedon një matës të vjetër të rrymës dhe se ka dëgjuar se “do të vendosen matës të rinj dhe, pastaj, do të fillojë të paguhet energjia elektrike”.

Faturë nuk mori as Nenadi, qytetar nga Mitrovica e Veriut, rreth 30 kilometra larg Leposaviqit.

“Po presim [matës] të rinj, sepse ka fjalë që do të fillojë faturimi i energjisë elektrike. Nuk ka tjetër informacion në media apo në mesin e njerëzve. Askush [nuk ka pranuar faturë], askush në ndërtesën time”, thotë ai.

Të tjerë qytetarë nga Mitrovica e Veriut thonë, po ashtu, se nuk kanë marrë fatura dhe se nuk kanë informacione në lidhje me pagesën eventuale të rrymës.

Në veriun e Kosovës nuk dihet saktë numri i konsumatorëve të energjisë elektrike.

Qeveria e Kosovës dhe KEDS-i, që është kompania përgjegjëse për furnizim me energji elektrike, thanë deri më tani, janë regjistruar rreth 20 mijë konsumatorë në bazë të njehsorëve që ekzistojnë atje.

Megjithatë, në atë zonë ka edhe ndërtesa që nuk kanë të instaluar fare matës të energjisë elektrike, ose kanë matës jofunksionalë.

Sipas Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë të vitit 2022, është e paraparë që KEDS-i ta bëjë vendosjen e njehsorëve të rinj në atë zonë.

Kjo kompani tha se pret nga Elektroseveri që “të përpilojë një plan investiv, bashkë me kostot e kërkuara të mirëmbajtjes, të cilat KEDS-i i dorëzon pastaj në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për aprovim”.

Klisman Kadiu, nga Zyra e zëvendëskryeministrit Bislimi, tha se për financimin dhe blerjen e njehsorëve të rinj, ka shprehur interesim Bashkimi Evropian.

As Qeveria, as KOSTT-i dhe as Bashkimi Evropian, që ishte ndërmjetësues i Marrëveshjes për Energjinë, nuk janë përgjigjur se kush aktualisht po e paguan rrymën në veri.

Zyra e Rregullatorit për Energjinë (ZRRE) ka thënë se furnizuesi (në këtë rast Elektroseveri) “është i obliguar që t’i faturojë dhe arkëtojë pagesat prej konsumatorëve”.

“Furnizuesi është i detyruar të sigurojë që konsumatorët të jenë të faturuar për energjinë e shpenzuar me llojin e tarifës së dakorduar”, thanë nga ZRRE-ja.

Kjo zyrë, po ashtu, sqaroi se nëse ndonjë nga konsumatorët nuk ka njehsor të energjisë elektrike apo matësi i tij nuk është funksional, atëherë ai do të duhej të nënshkruajë një kontratë për furnizim.

“Dhe, pastaj, KEDS-i duhet t’i instalojë/ndërrojë njehsorët elektrikë, në mënyrë që konsumatorët të kenë matje të shpenzimit të energjisë elektrike”, shpjegoi ZRRE-ja.

Elektroseveri është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë – EPS (Elektroprivreda Srbije).

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2010 deri në vitin 2022, për rrymën e shpenzuar në veri janë paguar gjithsej 237 milionë euro (mesatarisht 19 milionë euro në vit).

Kostoja e rrymës është rritur ndjeshëm nga viti 2021, për shkak të rritjes së përgjithshme të çmimeve të energjisë, si pasojë e krizave të ndryshme globale.