Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri në detyrë, është deklaruar për fondet e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian që Kosova pritet t’i pranojë, duke njoftuar se marrëveshjet dhe ligjet e nevojshme janë duke u përgatitur, dhe se të njëjtat do të dërgohen për aprovim në Qeveri e Kuvend sapo të krijohen institucionet, shkruan Gazeta Express.
Bislimi në postimin e tij në Facebook, ka thënë edhe se, Kosova i është përmbajtur të gjitha afateve të paracaktuara nga Komisioni Evropian, por se ka qenë Komisioni ai që nuk ka arritur t’i përmbahet afateve të saja të paracaktuara
‘‘Sidoqoftë, është mëse e rëndësishme të potencohet se asnjë pagesë, përfshirë paradhënien, nuk mund të humbet. Ato do të disbursohen në momentin që Kosova ratifikon marrëveshjen dhe plani do të vazhdojë direkt në fazën e implementimit ashtu siç është paraparë’’, ka shkruar ai.
Tutje, i njëjti ka deklaruar edhe se këto vonesa nuk e vendosin buxhetin e Kosovës në vështirësi, pasi që buxheti i vendit ‘‘është substancial’’.
Postimi:
Është shkaktuar një mjegulli e madhe në raport me fondet që Kosova pritet t’i pranojë nga Plani i Rritjes së BE-së, andaj më lejoni të qartësoj situatën për opinionin publik.
Fillimisht, në procesin e draftimit dhe negocimit të agjendës së reformave, Qeveria e Kosovës i është përmbajtur të gjitha afateve të paracaktuara nga Komisioni Evropian, duke dorëzuar dokumentet e nevojshme përveçse në kohë, edhe me cilësi.
Mirëpo, si shkak i aprovimit me vonesë të Planit të Rritjes në Këshillin e BE-së, Komisioni nuk ka arritur t’i përmbahet afateve të saja të paracaktuara. Prandaj, në qoftë se Komisioni Evropian do t’i përmbahej këtyre afateve të paracaktuara nga ana e tyre, ne sot do ta kishim një marrëveshje të ratifikuar të Planit të Rritjes dhe do të kishim pranuar paradhënien tashmë.
Sidoqoftë, është mëse e rëndësishme të potencohet se asnjë pagesë, përfshirë paradhënien, nuk mund të humbet. Ato do të disbursohen në momentin që Kosova ratifikon marrëveshjen dhe plani do të vazhdojë direkt në fazën e implementimit ashtu siç është paraparë. Buxheti i Kosovës është substancial dhe vonesat që janë shkaktuar si rezultat i mosvotimit të krijimit të institucioneve, në asnjë moment nuk e vendosin buxhetin e Kosovës në vështirësi nëse fondet nga ana e BE-së nuk pranohen.
Së fundmi, edhe pse konstituimi i Kuvendit ende nuk është përfunduar, dhe anëtarët e Qeverisë janë në detyrë, aparati shtetëror prapë funksionon si gjithmonë. Shumë punë janë duke u zhvilluar dhe ministritë e institucionet e tjera të linjës po i kryejnë detyrat dhe aktivitetet e tyre brenda afateve dhe kompetencave. Marrëveshjet e ligjet e nevojshme po përgatiten për aprovim në Qeveri e Kuvend sapo të krijohen institucionet. Andaj, as paratë dhe as zbatimi i agjendës së reformave nuk po rrezikohen. /GazetaExpress