Delegacionet nga Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – kanë nisur negociatat indirekte në Egjipt më 6 tetor, të cilat SHBA-ja shpreson se do të sjellin në ndaljen e luftës në Gazë.
Izraeli dhe Hamasi kanë pranuar parimet kryesore të planit të presidentit amerikan, Donald Trump, që synon ndaljen e luftës. Plani parasheh lirimin e pengjeve dhe dërgimin e ndihmave në Gazë.
Plani po ashtu mbështetet nga shtetet myslimane dhe perëndimore. Trump ka kërkuar që negociatat të mbahen shpejt për të arritur një marrëveshje përfundimtare. Uashingtoni thotë se palët nuk kanë qenë asnjëherë më afër arritjes së ndërprerjeje të luftimeve.
“Më thanë që faza e parë duhet të përmbyllet këtë javë dhe unë po u kërkoj të gjithëve që të LËVIZIN SHPJET”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
Por, të dyja palët po kërkojnë sqarime për detajet kryesore, duke përfshirë çështje që kanë dështuar në të gjitha përpjekjet e mëparshme për të ndalur luftën dhe që mund të paraqesin sfidë për çdo zgjidhje të shpejtë.
Trump i ka kërkuar Izraelit të pezullojë bombardimet mbi Gazë për të mundësuar mbajtjen e bisedimeve. Banorët e Gazës thanë se Izraeli kishte reduktuar ndjeshëm ofensivën e tij, edhe pse nuk e kishte ndalur krejtësisht.
Televizioni shtetëror egjiptian raportoi se bisedimet nisën në Sharm el-Sheik. Ato po mbahen në prag të dyvjetorit të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit – sulm që nxiti luftën – kur grupi radikal palestinez vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu 251 të tjerë.
Ofensiva izraelite ka vrarë më shumë se 67.000 palestinezë dhe ka shkaktuar krizë humanitare në Rripin e Gazës që ka 2.2 milionë banorë.
Reuters raporton se sipas burimeve egjiptiane, Hamasi ka kërkuar sqarim për disa detaje, përfshirë garanci që Izraeli do të përmbushë premtimet dhe do të tërheqë trupat nga Gaza, pasi Hamasi të dorëzojë armët dhe të lirojë pengjet.
Edhe pse presidenti Trump ka kërkuar që shpejt të arrihet një marrëveshje, një zyrtar që është i informuar për negociatat, duke folur në kushte anonimiteti tha se pret që rundet e bisedimeve, që nisën sot, të zhvillohen për disa ditë.
Delegacioni izraelit përfshin zyrtar nga agjencitë e spiunazhit Mossad dhe Shin Bet, Ophir Falk, këshilltar për politikë të jashtme të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe koordinatorin për pengjet, Gal Hirsch. Kryenegociatori izraelit, ministri për Çështje Strategjike, Ron Dermer, pritet t’iu bashkohet bisedimeve më vonë gjatë javës, në varësi të zhvillimit të negociatave, thanë tre zyrtarë izraelitë.
Delegacioni i Hamasit udhëhiqet nga udhëheqësi në mërgim i grupit, Khalil Al-Hayya, i cili u mbijetoi sulmeve izraelite në Doha një muaj më parë, kur u vra djali i tij.
Negociatorët e Hamasit do të kërkojnë qartësi mbi mekanizmin për të realizuar shkëmbimin e pengjeve të mbetura – të gjallë dhe të vdekur – me të burgosurit palestinezë në Izrael, si dhe për tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Gaza dhe një armëpushim, sipas një deklarate të lëshuar nga grupi radikal palestinez të dielën vonë.
Një çështje që përmendet në planin e Trumpit është edhe çarmatosja e Hamasit, kërkesë që Izraeli e kishte parashtruar më parë, por ishte refuzuar nga grupi. /REL