Bisedë me Noa Nur për librin e saj “Kurrë gri” - Gazeta Express
string(44) "bisede-me-noa-nur-per-librin-e-saj-kurre-gri"

Bisedë me Noa Nur për librin e saj “Kurrë gri”

Arte

Gazeta Express

14/09/2022 14:39

Nga: Marcela Tringaj

“Hajdeseflasim” është emri i këtij blogu tërësisht të veçantë, i krijuar në mënyrë instiktive, ndonëse me drojë, nga poetja e re Noa Nur. Ky blog nuk është vetëm një botë ngjyrash prej shpirtit, por një vokacion. Është si një mushkëri, i cili frymon vizionin, vëzhgimin, realitetin e poetes së re për të krijuar një ndërlidhje, së pari shpirtërore e më pas network mbështetës të vlerës njerëzore dhe artistike. Pikërisht aty dhe në rrjetet e saj sociale, Noa nuk resht kurrë së promovuari shkrimtarë të rinj, së mbështeturi artin dhe zejtarinë, e veçanërisht së përkëdheluri shpirtrat e tejndjeshëm.

Lexo Edhe:

Dy vite më parë botoi librin e saj poetik “Kurrë Gri”, që u prit mjaft mirë nga mirëdashësit. Dashuria me të cilën është përgatitur është e madhe, ndoshta sepse secili shkrim përmban një gjendje aq të fortë, sa dëshiron medoemos të përcillet dhe të udhëtojë. Fjalët duhet të shkojnë aty ku duhet, aty ku priten, aty ku vlejnë. Nuk ka marketing që ta thyejë këtë energji. Një libër mund ta blesh ose të ta dhurojnë, por duhet shumëçka tjetër që ta ndiesh. Është gërshetimi i shpirtrave që thuret dhe tendoset në këtë planet, një lidhje e pashpjegueshme që vetëm mund të ndihet…

“Kurrë Gri” është rrugëtimi yt shpirtëror me një mison të fisëm: çlirimin e botës plot ngjyra të qënieve të tejndjeshme. Ku e ka fillin përpjekja për të krijuar jo vetëm për vete?

Besoj se ai që krijon, në çfarëdo forme, nuk mund të krijojë vetëm për vete. Arti në këtë rast në formë të shkruar kërkon një lexues, ashtu si një pikturë kërkon sytë që ta shohin. Të krijosh, të bësh art, sado modest të jetë, si kjo përpjekje imja, është një akt dashurie. Fillon ta ndash me të tjerët sepse shpreson të gjesh “të ngjashmit” që nuk kanë zë. Dëshiron të japësh. Tejndjeshmëria është temë mjaft e re, dhe në mjedisin tonë, akoma më shumë. Ambienti ynë është i më të fortit, i atij që bërtet më shumë, i atij që shkel më egër. Ndjeshmëria ngatërrohet me dobësinë. Prandaj më pëlqen të ngacmoj temën, natyrshëm dalin dhe vargjet poetike që përfaqësojnë këto lloj ndjesish. Shpresoj të jap, të ngushëlloj. Ashtu si unë kam gjetur veten në leximet e mia.

Poezitë e tua të ftojnë t’u qasesh pa frikë gjithë ngjyrave të jetës, madje edhe atyre më të errëtave, që mbartin aftësinë të të nxjerrin në një qoshkë të panjohur të vetes. A puqet kollaj njeriu me këtë guxim?

Jo, aspak. Është besoj gjëja më e vështirë. Madje, në përzgjedhjen e poezive, që i quaj të errëta, jam menduar shumë. Nuk doja të rëndoja lexuesin. Nga ana tjetër, pozitiviteti i falsifikuar në formë komerciale, nuk më përket. Jam më shumë për optimizimim e çdo situate. Nëse nuk pranojmë anën tonë të errët, ta vëzhgojmë, ta duam, rrallë do të arrijmë të dalim në dritë. Shoqëria ku jetoj shkon në dy ekstreme: disa shfaqin vetëm sukses të bujshëm gati-gati në velje; të tjerë ankesë që çon në viktimizim të sëmurë. Mirëpo asnjëra nuk është reale, realiteti është se kemi fitore dhe dështime, dhe të gjitha këto nuk na ulin në të qenët njeri. Përkundrazi, kalimi i çdo faze, çdo ngjyre, na larton të jemi qenie më të mira, më të vetëdijshme, më të mësueshme. Të fitosh vetëdije do guxim!

Në blogun tuaj vihet re dëshira për të mbështetur shkrimtarë të rinj ose bashkëkohorë, njerëz që zgjedhin të dëgjojnë zërin e tyre të brendshëm përmes tëndit. A ka shpërblim ky mund? Cili është i duhuri?

Për sa u përket autorëve, për shembull atyre që ndryshe quhen instawriters, më pëlqen t’i mbështes me aq sa mundem. Përpiqem. Disa e çmojnë, e kuptojnë dëshirën time për të shpërndarë letërsi të freskët. Kur dëgjoj se dikush ka blerë një libër që ka parë në story, ka vizituar një galeri, ka filluar të lexojë poezi, ky është shpërblimi im. Do të më pëlqente të kishte më shumë ortakllëk, sigurisht do të ndihmonim njëri-tjetrin.

Sipas teje, kemi nevojë për një lloj qarkullimi të mirësisë prej të ngjashmëve tanë? Mbështetja e hapave të parë. Sa e kuptueshme mbetet kjo tek të brishtët e një arene sa konkurruese, aq edhe sfiduese dhe jo vetëm për të rinjtë që kanë pasion të shkruarit?

Patjetër që është e nevojshme mbështetja. Patjetër që duhet dikush pranë që të ndihmon, të këshillon. Disa kanë mundësinë të rrethohen nga këshilltarë të mirë, por jo të gjithë. “Të brishtët” shpesh nuk u përkasin familjeve elitare, mund të mos kenë përgatitje akademike, mund të mos jenë nga shtresa më e lakmuar shoqërore, shkrimet e tyre janë të destinuara të mbeten në tenxheren e Instagramit. Uroj që jo! Por askush nuk do të të lexojë nëse nuk ke tashmë një emër, dhe nëse nuk të lexon kush, këtë emër nuk do ta kesh kurrë. Është e nevojshme të ndihmohemi, të ndihmojmë njëri-tjetrin. Dëshira ime është të mbështes duke krijuar një komunitet mbështetës. Prandaj kam publikuar çdo hap në blog hapur. Kjo nuk vlen vetëm për shkrimin. Sikur ata që kanë websites, profile me influencë, të harxhonin vetëm Pak energji për t’i bërë share ndonjë artisti, kjo do të na bënte të ndiheshim më mirë!

Në leximin e poezive të tua, vërehet një humbje e vetes, ngucur ndonjëherë në trishtim apo edhe në një kuti shkrepseje. A mbetet poezia një urë nëpër të cilën kalon sa herë kërkon ta njohësh më mirë veten?

Po, trishtimin e kaloj me poezinë, por edhe gëzimin me eset, përrallat.

Shkrimi është hinka ku kalon shpirti im. I gjithi. Është bërë si shqisë e shtuar. Shoh, prek, nuhas, dëgjoj, ndiej … shkruaj. Madje shkruan, shkruan me një emër që nuk të rrëfen identitetin edhe kur drita e hënës t’i rigjen shtresat e qelqta të brendisë. Në pozitën e unit lirik, ç’rehati të sjell dëshira për të mos zbuluar veten?

E adhuroj misterin. Krijon një lloj magjie, energjie të pakrahasueshme me egon e përkëdhelur. Më pëlqen të kem emër pene, ashtu sikur ishte zakon në lashtësi, ashtu sikur përdoret tani në videolojëra, një alterego fuqizuese. Nuk është mënyrë për t’u fshehur, por për të krijuar më shumë. Është pjesë e imja, mbase më e thellë. Preferoj, në e meritoj, të ketë vëmendje krijimtaria dhe jo unë … thjesht unë.

Nëse esenca jote mbetet plot lot, qeshje e poezi, si arrihet t’i krijohet vetes hapësirë për shpirtin, kohë për të krijuar esencën fëminore e gëlltitur lotët?

Hapësirën e shpirtit e krijoj çdo ditë nga pak. Jo përherë ndodh të jetë në masën e duhur. Por shpirti, si çdo gjë, ushqehet. E bëj duke marrë kohë për veten, e cila nuk duhet të jetë luks, por domosdoshmëri njerëzore. Vihem në kontakt së pari me zërin tim të brendshëm, e pranoj dhe e dëgjoj. I jap vetes leje të jem vetja. Esenca e secilit është aty, vetëm pret të zbulohet, lirohet, përkëdhelet. Nuk kam formula, as nuk është gjithnjë e njëjta. Esenca fëminore nuk është pjesë e fëmijërisë, por pikërisht pjesë e rritjes. Dhe i kushtoj kohë dhe vëmendje rritjes personale në çdo nivel.

Çka mbetet organike në një poezi në një kohë toksifikuese për krijimtarinë në përgjithësi?

Nuk arrij të flas në përgjithësi për këtë. Vetë besoj se krijimtaria ka qenë dhe mbetet gjithmonë nën trysni. Ka gjithnjë diçka që mund ta pengojë. Kurrë nuk mund t’i kesh kushtet e përsosura. Madje, pa trysni, mbase krijimtaria do të ishte më e pak fuqishme. Mua toksifikimi më frymëzon, më shtyn të mbetem organike. Poezia, ajo që del nga brenda, pa sforcim, pa ndonjë paramendim, është organike pavarësisht kushteve a kohës. Për mua, për të bërë poezi duhen dy elemente kryesore: gjendja shpirtërore, pra kjo mund të diktohet e shpërthen në forma të papritura dhe në çdo mënyrë të mundshme. Tjetra është zgjedhja estetike që përfshin stilin e zgjedhur, fjalën e kërkuar, eksperimentimin dhe kjo vjen nga përthithja e intelektit, njohurive, nxënia, studimi, pra punë e mirëfilltë. Çka mbetet organike në poezi varet sa organik është vetë personi.

Krijimtaria jote vjen si një tablo e përjetimeve që gjendet brenda nesh për hir të së shkuarës, brezave, kulturës, traditës. Nga çfarë vjen forca e njeriut për ta zbuluar e për ta bërë më të jetueshëm kaosin kulturor që po jeton?

Është forca e pamposhtshme e jetës. Nëse dua një lule duhet ta mbjell e mos ta shkul, kaq. Kaosin e marr dhe e përdor për pleh në bahçemendimesh.

E dua të bukurën, po nuk e gjeta, e krijoj. Është gjithçka kam në dorë. Poezia që do të thotë krijim, më jep këtë mundësi, të krijoj, shndërroj, shpik, arratisem, apo të thellohem më shumë brenda meje.

Është koha të falënderosh. Është koha të jesh e ndershme me veten. Falëndero ngjyrat e errëta të shpirtit tënd. Ato skuta rebele, të humbura. Rrugicat qorre të mendimeve të pashpjegueshme. Falëndero ato ngjyra të tua rozë, që ke turp t’i ndash, por që kokëfortë përhapen pa dashje. Falëndero veten, për herë të parë në jetë. Pa frikë, pa turp, pa modesti. Kujtoja vetës këtë ndjenjë kur të biesh përsëri në duart e egërsisë së mërzitshme të ditëve të njëjta. Kujtoja vetes se mund të krijosh. Falëndero ngjyrat që “je” dhe janë vetëm të tuat. Mos ki frikë të dukesh egoiste, do ta mendojnë gjithsesi. Falëndero humorin sepse arrin të qeshësh fort kur gjithçka është kundër teje. Dje, i bëre vetes një dhuratë, plotësove ëndrrën e asaj vajze të thjeshtë dhe shumë të ndërlikuar. Kujtoja vetes se nuk je asgjë më shumë sot, sepse as dje nuk ishe më pak.

Një grusht poezish nga Noa

Larg

Larg rruga ime më ka çuar

Larg më mban nga toka ime.

Larg e kam nënën

Larg ëndrrat i kam dërguar.

Çdo lot e mërzi akoma më tej i shtyva

çdo dëshirë e ndjenjë në varkë kurbeti i nisa.

Larg meje e keqja,

po aq larg e mira,

pa rrënjë si pemë e shkulur.

Larg mbërrita, larg dua.

Larg shkoj, larg dua të kthehem.

Çdo vetmi e shoqëri larg më çon.

çdo letër e kujtim po prapë larg zemrën time dërgon.

Pa rrënjë

Pa rrënjë,

Shpirtshkulur,

zemra në udhë.

Rriten rrënjët fsheurazi…

I pret sëpata pa mëshirë.

Pa rrënjë dhe e thellë.

Sa dhembje duhet të kem?

Pa rrënjë e prap lulëzoj!

Sa fuqi duhet të kem?

Pa rrënjë e plot fryte!

A ka mundësi?

Ju lutem, në përgjërim, më jepni mbrasht rrënjët e mia?

Buzëqeshjet e trishtuara

Buzëqeshjet e trishtuara,

janë ato më të çmuara.

Më lër të mburrem unë i kam.

Buzëqeshjet e trishtuara thyejnë ligjet,

janë të atyre që rrokullisen larg tingujve të luftërave.

Janë të atyre që magjepsin me sytë e përhumbur.

Ah, kërcejnë zbathur mbi dhembje e zhgënjime.

Nuk i numërojnë humbjet, dehen me dashuri këngësh.

Buzëqeshjet e trishtuara ekzistojnë,

janë të atyre që kuptojnë e nuk shpjegohen,

e dinë të mbajnë ritmin.

Ritmin e jetës sikur të ishte def.

Ah, buzëqeshjet e hidhura, mbajnë dhembjen e botës shtrënguar ndër dhëmbë.

Janë të atyre që shkelin të keqen në valle.

Kllapi

Zakonshëm,

nata hyn në ditën e dikujt tjetër

Çmendurisht,

meridianët dashurohen, preken?

Deti gufon, qielli shqyhet, toka e mira hapet.

Trazueshëm,

e patakueshmja çiket me cipën e zbehtë njerëzore.

Valle e pafund si rotullimi i planetëve

Tërbueshëm

nën kllapi,

nuk mbetet asnjë kujtim.

Gjashtëmbëdhjetë

Lule qershie

ndrojtja skuq faqet

loz me flokët

buzëqesh në hije.

Lule pjeshke

vallëzon vetëm

thur ëndrra

zemra e thjeshtë.

Lule qershie

të rozta buzët

të qelqta ndjenjat

ti nuk e dije.

Lule pjeshke

të thella sytë

të ëmbla vitet

sekreti heshtte.

Lule qershie

gërshet i florinjtë

mollëza të arta

të buta ijët.

Lule pjeshke

e vogël dora

zëri i dashur

shpirt i brishtë.

Lule qershie,

fustani i hollë

e ngrite vetullën

as ti s’e dije.

Lule pjeshke

gjashtëmbëdhjetë,

apo më shumë,

jeta qeshte.

Lule qershie

ti nuk e dije.

/Marrë nga:Exlibris