Të premten, më 5 shtator, nga ora 17:00 deri në 18:00 në Galerinë ‘Marubi’, mbahet bisedë me dizajnerin e tekstileve Jozef Martini, lidhur me ekspozitën “Pazari i humbur i Shkodrës”.
Jozef Martini
Në zemër të qendrës historike të Shkodrës ndodhet dyqani dhe studioja e Jozef Martinit, dizajner tekstilesh, puna e të cilit lidh traditën shqiptare me dizajnin bashkëkohor të tekstilit. I njohur për kompozimet e tij me ngjyra të ndezura dhe referencat e thella kulturore, Martini frymëzohet nga trashëgimia e pasur e zejtarisë shkodrane, duke e transformuar atë në punime bashkëkohore. U diplomua pranë Universitetit të Arteve të Bukura në Tiranë në vitin 1988, në Departamentin e Modës dhe Tekstilit. Pas një përvoje të shkurtër pune në Shqipëri, u transferua në Itali në vitin 1996.
Nga studioja në Komo të Italisë, Martini bashkëpunon me shtëpi të njohura të modës. Megjithatë, krijimet e tij mbeten të lidhura ngushtë me imazhet, historitë dhe simbolet e Shqipërisë – dhe veçanërisht me Shkodrën, ku thërrasin rrënjët dhe historia familjare. Në thelb të praktikës së tij është dëshira për të përkthyer kulturën tradicionale të vendit në një gjuhë vizuale moderne.
Kjo ekspozitë paraqet panele në pëlhurë jacquard të thurura posaçërisht për këtë bashkëpunim. Çdo vepër eksploron fije të ndryshme kujtese, identiteti dhe 22 riinterpretimi, të frymëzuara nga objekte të lidhura me paraardhësin e Martinit, Palok Lacën, një trajtesë kjo e objekteve të zbuluara në Muzeun e Etnografisë të Budapestit, si dhe e fotografive historike të koleksionit Marubi.
Veprat janë prodhuar duke përdorur thurje mekanike në pëlhurë jacquard që bazohen në skicat e vizatuara me dorë prej Martinit, me një sy të mprehtë për formën, simbolikën dhe ngjyrën, elementë që përcaktojnë thelbin e tekstileve të tij. Ndjeshmëria ndaj motiveve dhe materialeve tradicionale e vendos punën e Jozefit brenda një linje të gjatë të historisë së zejtarisë shkodrane, që i çaset njëkohësisht edhe një territor të ri vizual bashkëkohor. Njëri prej paneleve risjell një gravurë të shekullit XIX të Kalasë së Rozafës, botuar në Milano nga një udhëtar italian. Martini i vendos përbri objekte abstrakte zbukurimi prej metali nga koleksioni i Palok Lacës. Imazhi qendror – i riprodhuar në jacquard me gjashtë ngjyra – ravijëzohet nga bordura të qëndisura që i bëjnë jehonë pasurisë dekorative të trashëgimisë tekstile shqiptare. Një tjetër panel i kushtohet burrave që krijuan qëndisje tradicionale në punishtet e Pazarit të vjetër të Shkodrës. Duke u nisur nga dëshmitë fotografike në arkivin Marubi dhe i frymëzuar nga objektet e Palok Lacës, Martini zhvillon një seri skicash që formësuan këtë punim: një homazh për qëndistarët meshkuj, që shpesh anashkalohen nga historia e tekstilit. Sfondi paraqet karafila, lule tipike të oborreve shkodrane, që evokojnë si vendin ashtu edhe kujtesën. Përmes një përzierjeje të thurjes mekanike jacquard me stampime fotografike eksperimentale, vepra krijon një urë midis dëshmisë historike dhe teknikës bashkëkohore.
Një panel i tretë frymëzohet nga japanxha tradicionale – një veshje e qëndisur nga koleksioni i Palok Lacës. Ndër motivet e saj, Martini veçon një shqiponjë dykrenare mbresëlënëse, simbol i identitetit shqiptar, së bashku me gjarpërinjtë dhe zogjtë. Ai i risjell këto motive në thurjen jacquard, duke ofruar një interpretim dhe teksturë të re për këtë simbol të rrallë historik.