Bisedat më të rëndësishme janë ato që i bëni me veveten - Gazeta Express
string(55) "bisedat-me-te-rendesishme-jane-ato-qe-i-beni-me-veveten"

Gazeta Express

13/05/2020 11:56

Bisedat më të rëndësishme janë ato që i bëni me veveten

Gazeta Express

13/05/2020 11:56

Për shumë prej nesh, kjo ideja për të praktikuar vetë-dhembshuri dhe bisedë pozitive me veten, mund të duket si e huaj, e çuditshme ose e pakëndshme. Nuk është e lehtë. Më e lehtë na duket që të shkëputemi nga vetja dhe të shpërqëndrohemi në diçka tjetër. Ju inkurajoj që ta provoni. Pasi që ta praktikoni, pas një kohe do t’ju duket me e lehtë dhe do të vëreni efektin e kësaj qasjë me vetën tuaj. Mos harroni se vetëm duke u kujdesur për veten, ju mund të jeni në gjendje të kujdeseni për të tjerët.

Shkruan: Brikena Krasniqi Hoti

Lexo Edhe:

Është koha ta ndryshojmë mënyrën se si po e trajtojmë veten tonë, dhe kjo varet shumë se si e zhvillojmë biseden me vetën. Nëse keni pyetur ose keni dëshirë të dini se cila është gjëja më e rëndësishme për të ruajtur shëndetin tuaj mendor? Me siguri të plotë ju them vet-dhembshuria, e cila reflekton shumë në gjërat që ia themi vetës. Tingëllon si një term “klishe”, që për disa mund të jetë jashtë mode, e për disa të tjerë mund të duket term “aristokratik”. Por, ne fakt ky vazhdon të jetë një ndër konceptet më të rëndësishme në psikologji dhe psikoterapi. E vërteta është se marrëdhënia që kemi me vetveten formon përvojat tona të përditshme, por thellësishtë reflekton edhe në marrëdhëniet që ndërtojmë me të tjerët. Nëse nuk e pranojmë veten për atë që jemi dhe mendojmë se mund të jemi “të mjaftueshëm” vetëm nëse arrijmë standarde të caktuara, ne jemi të detyruar të jetojmë në vuajtje.

Ne mund të jemi armiku me i keq i vetes duke e kritikuar veten shumë më tepër sesa të tjerët. Nga të gjithë njerëzit në këtë planet, personi me të cilin flasim më së shumti është vetja jonë. Por kjo bisedë zakonishtë është kritikuese dhe tejet gjykuese.

Shpesh-herë kjo bisedë negative me vetën ka fillet e saj qysh në fëmijëri dhe mund të pasqyrojë atë që keni parë dhe dëgjuar nga prindërit, familjarët dhe shoqëria përreth, apo si na kanë trajtuar gjatë formimit tonë. Kjo gjë është e zakonshme dhe shumë e përhapur,e shpeshherë e pavetëdijshme. Fatkeqësisht, ky model mund të shtrihet në moshën madhore, pa qenë ne të vetëdijshëm për këtë qasje vetkritike, me kahje vet-shkatërruese. Pastaj, ky zë gjykues mund të jetë i perbrendësuar, thellë në ju, sa që mund të mendoni se të kujdeseni për vetën është egoizëm, ju nuk meritoni ate që është e mirë, atë që është e lehtë ose pavuatje dhe do ta gjykoni vetën edhe për gjërat më të parëndësishme.

Për shembull, sa mendime vetë-kritike ndaj vetes keni brenda një ditë? Nje ore? Nëse i kushtoni vëmendje, mund të jetë më shpesh sesa e mendoni. Përderisa, njëfarë ndershmërie apo “kritikë” në lidhje me veten, na ndihmon të përmirësohemi në marrëdhëniet tona personale dhe profesionale, ky dialog i brendshëm i kritikës, gjithashtu kontribuon në më shumë stres dhe vuajtje. Nëse dikush do t’ju përcillte tërë ditën duke ju thënë se sa “budalla”, “i parëndësishëm”, “i/e trashë”, “i/ shëmtuar” “i/e pavlerë” je, si do të ndiheshit? Si do të ndikonte kjo në vetbesimin tuaj? Më e rëndësishmja, si do të reagonit ndaj këtij personi që ju flet kështu? Tani mendoni pak për faktin se të njëjtën gjë ju e bëni me vetën tuaj, shpeshherë duke qenë të pavetëdijshëm se ne jemi armiku më i madh i vetës.

Është e rëndësishme që së pari të vetëdijësohemi përkëtë gjë. Sepse kjo ndikon drejtpërdrejtë në qëndrueshmërinë emocionale dhe në shkathtësinë tonë për t’i përballuar sfidat ose rrethanat e paparashikuara që mund të na godasin. Hulumtimet në fushën e psikologjisë në mënyrë të vazhdueshme kanë treguar, se vetë-dhembshuria dhe qëndrimi jo gjykues ndaj vetës, është një faktor kryesor në parashikimin e rezistencës dhe mirëqenies emocionale të individit përballë fatkeqësive.
Kjo do të thotë që praktikimi i vetë-dhembshurisë dhe bisedave pozitive me vetën, gjatë krizës aktuale më pandeminë nga COVID-19, mund të ndihmojë në uljen e disa prej vuajtjeve apo shqetësimeve që mund të jemi duke i përjetuar.

Si ta praktikojmë vet-dhembshurinë në këtë kohë pandemie? Gjëja e parë është që të sillni vëmendjen në atë se çfarë po ndodhë brenda jush dhe t’i jepni vetës të drejtën dhe obligimin për të njohur gjendjen tuaj emocionale. Provoni t’i shikoni përvojat tuaja, reagimet tuaja emocionale nga një këndvështrim jo gjykues, duke e trajtuar veten me kujdes, durim dhe mirësi kur jeni të shqetësuar. Shqetësimet, përvojat dhe ndjenjat tona, konsiderojini si pjesë e tërësisë universale dhe njerëzore. Pjesë esenciale e të qënit njeri. Po sikur të fliste dikush keq për shokun/shoqen tuaj më të mirë, ju me siguri do të thonit “Hej, ky është shoku im për të cilin po flisni! Ndaluni”. Po pra, zgjerojeni të njëjtin nivel mbrojtjeje dhe mirësie ndaj vetvetes. Ndalu dhe pyete vetën, si mund te kujdesem për vetën time në këtë moment? Si mund t’ia lehtësoj vetës këtë që po përjetoj?

Për shumë prej nesh, kjo ideja për të praktikuar vetë-dhembshuri dhe bisedë pozitive me veten, mund të duket si e huaj, e çuditshme ose e pakëndshme. Nuk është e lehtë. Më e lehtë na duket që të shkëputemi nga vetja dhe të shpërqëndrohemi në diçka tjetër. Ju inkurajoj që ta provoni. Pasi që ta praktikoni, pas një kohe do t’ju duket me e lehtë dhe do të vëreni efektin e kësaj qasjë me vetën tuaj. Mos harroni se vetëm duke u kujdesur për veten, ju mund të jeni në gjendje të kujdeseni për të tjerët.

 Brikena Krasniqi Hoti, Specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë