«BIK», BXHK APO BKM - Gazeta Express

«BIK», BXHK APO BKM

Gazeta Express

23/10/2020 16:20

Sa legjitime dhe korrekte është frima (BIK) që bartë organizata përfaqësuese e xhamive [jo gjithave] kosovare

Shkruan Xhemal AHMETI

Nuk u habita me reagimin e nëpunësve të BIK kur e quajta shoqatë. E thirra ashtu me qëllim për të nxitur një qëndrim. Sqarimi mungoi, ose mungesa u justifikua me mos definimin e saj ligjor nga ana e shtetit [mbajeni mend këtë fjali të fundit për të kuptuar më mirë pse nuk e quajta ndryshe, ta zëmë institucion – pra shteti duhet ta definojë].

Pse nuk e quajta ta zëmë institucion? Sepse për nga etimologjia termi latin institutum donë të thotë Objekt i një administrate në shërbim të qytetarëve. BIK është mirëpo qendër (objekt) e administrimit të vetvetes e jo qytetarëve. Nuk e quajta Institucion sepse sot, në çdo fjalor standard, me termin nënkuptohet një sistem (kryesisht politik) rregullash që përcaktojnë sjelljen, veprimin e individëve, grupeve dhe bashkësive tê një shoqërie. Një sistem që i formëson dhe drejton këta. Rregullat e BIK për mua si qytetar mirëpo nuk ma zënë diellin ngase s’jam anëtar i saj. Rregullat e sjelljes sime determinohen nga ligjet dhe normat kulturore të shoqërisë dhe shtetit qytetar, shtetas i të cilit jam. Kështuqë BIK mund të jetë institucion brenda vetes, por jo jashtë xhamive të saja dhe jashtë pragut të privatësisë së anëtarëve që veprojnë me rregullat e saja.

Nuk mund të jetë pra institucion sepse aty ku është shteti do të implikonte shtetin paralel!

Po çka është atëherë? Ky është problemi.

Le ta zëmë unë jam i besimit që përfaqëson BIK. Gjatë regjistrimit dhe në përditshmëri si deklarohem? Si islamik? Jo, deklarohem si mysliman. Kështu e bëjnë edhe 96% (?!) të kësaj bashkësie brenda kulturosferës shqiptare.

A është BIK përfaqësuesi legjitim i këtyre pra?

As për nga emri as për nga kualiteti nuk është: Ne dimë se xhemati i saj s’përbën as 10% nga ato 96%. Po pse islam, kur anëtarët e saj deklarohen mysliman, pra pse jo Bashkësia e Myslimaneve të Kosovës? Sepse BIK e di që nuk përfaqëson dot myslimanët konkret në mënyrë sa për të pasur mandatin legal në emër të tyre dhe fshihet pas “Islamit” si ideologji e jo si besim dhe praktikë, jo si prirëse ritualesh, jo si përfaqësuese e anëtarëve të saj që deklarohen si mysliman (prandaj kisha ortodokse, ajo katolike, evangjeliste nuk quhen dot si Bashkësia e Krishtere e Kosovës, ngase nuk e kanë mandatin) por si përfaqësuese e Islamit si botëkuptim dhe religjion.

Nëse de facto “organizata” jashtë saj (për këtë arsye ndoshta shteti ka probleme ta bëj ligjin për të ) nuk mund të jetë institucion, as Bashkësi Islame, por vetëm qendër administruese dhe ideologjike e xhamive të saja (jo gjithave) atëherë a nuk do ishte më korrekte të quhet Unioni i Xhamive (me * këtu duke sqaruar se nuk i mbulon të gjitha) të Kosovës? Ngase ka shumicën e tyre nën kontroll – ky është burimi i vetëm i saj në kërkesën për legjitimitet brenda ligjeve të RK-së të cilat përcaktojnë format e shoqërive civile.

Është në vullnetin e “BIK” (nga sot do ta përdor në thonjëza) të aspiroje të jetë shtet në shtet, perandori osmane apo qendër për nxitjen e protestave kundër perëndimit, e shtetit, e shoqërisë është që ekzaminojë kushtet konkrete para se të vendos se si do ta lejojë apo legjitimojë me ligj. Cilat kushte i plotëson dhe si duhet trajtuar atë.