Asambleja komunale e Bijelo Poljes në Mal të Zi ka miratuar iniciativën për t’i hequr çmimin letrar “Risto Ratkoviq” Radovan Karaxhiqit, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid nga Tribunali i Hagës. Çmimi i ishte dhënë në vitin 1993, gjatë kohës së luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Vendimi u mor pas një debati disaorësh më 2 tetor, ndërsa zbatimi i tij i është lënë institucionit kulturor “Mbrëmjet poetike të Ratkoviqit”, që duhet të ndryshojë statutin dhe të përgatisë procedurat për tërheqjen e çmimit brenda 60 ditëve.
Iniciativa u propozua nga Partia Boshnjake dhe u mbështet nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS). Ndërkohë, përfaqësuesit e koalicionit qeverisës në nivel shtetëror – përfshirë lëvizjen “Evropa Tani”, Demokratët dhe Frontin Demokratik pro-serb – bojkotuan votimin.
Aktivistët civilë dhe OJQ-të që e nisën këtë iniciativë e përshëndetën vendimin, duke theksuar se ai vjen në një kohë kur në Mal të Zi po shënohet rritje e retorikës pro-çetnike dhe lavdërimit të kriminelëve të luftës, përfshirë Karaxhiqin.
Boshnjacka Stranka gjithashtu ka kërkuar nga institucionet vendore që të rishikojnë të gjitha çmimet e dhëna ndër vite dhe të verifikojnë nëse ndonjë përfitues tjetër është i dënuar për krime lufte.