Rritet konsumi i energjisë elektrike në Shqipëri. Të dhënat e rrjetit tregojnë një rritje të vazhdueshme të konsumit nga viti në vit, kurse sipas të dhënave të Operatorit të Shpërndarjes të Energjisë, konsumi krahasuar me një vit më parë, u rrit me 2.2% ose me 41,885 megavatorë. Krahasuar me vitin 2023 u rrit me 10.3%, ose me 18,4151 megavatorë.
Rritje më të madhe ka pësuar periudha e sezonit turistik. Sa i përket konsumit ditor, klasifikohet se dita me konsumin më të lartë në vend nuk i përket muajve të dimrit, por muajve të verës. Data 13 Gusht 2025 ka regjistruar një rekord me konsum prej 27,995 MWh, duke kaluar edhe ditën që zakonisht është ajo me konsumin më të lartë në vend, Festën e Vitit të Ri, 31 dhjetorin, e cila në fundin e vitit 2024 ka qenë 27,438 MWh.
Konsumi mesatar ditor në vitin 2025 në rang vendi është 20,856 MWh, ndërkohë që në vitin 2024 ishte 20,610 MËh dhe në vitin 2023 ishte 18,593 MWh, rritje që tregon dukshëm zhvillmini e qëndrueshëm ekonomik të vendit sidomos në dy viteve të fundit.
E megjithëse sistemi elektroenergjetik dhe rrjeti janë ekspozuar në kërkesën më të lartë historike të konsumit, furnizimi me energji elektrike në vend edhe në zonat me interes në ekonominë e turizmit, ka vijuar të jetë në standardet më të mira të tij.
Zjarret kanë kërcënuar jo pak sistemin elektrik në nënstacione dhe linjat e transmetimit, ku u regjistruan edhe dëme. Skuadrat e OST dhe OSHEE kanë qenë gjatë gjithë kohës në gatishmëri.
Edhe humbjet në rrjet kanë një trend në rënie. 1.45% është shënuar rënia e humbjeve teknike në rrjet ose e thënë ndryshe janë kursyer 21,699 MWh.