Bexheti për mesazhin drejtuar ambasadorëve: Kur dështimi bëhet sistem, shpifja bëhet strategji! - Gazeta Express
string(92) "bexheti-per-mesazhin-drejtuar-ambasadoreve-kur-deshtimi-behet-sistem-shpifja-behet-strategji"

Maqedoni

Gazeta Express

12/07/2025 15:58

Bexheti për mesazhin drejtuar ambasadorëve: Kur dështimi bëhet sistem, shpifja bëhet strategji!

Maqedoni

Gazeta Express

12/07/2025 15:58

VMRO dhe VLEN, të zhytur në paaftësi dhe në mungesë totale vizioni, po përpiqen me çdo kusht të fshehin dështimet e tyre duke u marrë me shpifje, manipulime dhe akuza të rreme ndaj të tjerëve. Kryezëdhënësi i kësaj fushate të turpshme është Timço Mucunski, zëri më i zellshëm i viktimizimit të rremë para faktorit ndërkombëtar, në një skenar të inskenuar nga Mickoski dhe “punëtori” i tij Izet Mexhiti. Kështu e nis reagimin e tij Blerim Bexheti ndërsa komenton mesazhin e MPB-së, MPJ-së dhe zyrtarëve shqiptarë në Qeveri drejtuar ambasadorëve e ku akuzohet BDI dhe Danella Arsovska se janë personat që po destabilizojnë Shkupin nëpërmjet zjarreve, shkruan gazeta KOHA.

“Në vend që të japë llogari për paaftësinë dhe mungesën totale të rezultateve, Mucunski shpif dhe fabrikon skenarë imagjinarë për ‘destabilizim’, vetëm për të krijuar tymnajë politike dhe për të mbuluar realitetin që qytetarët tashmë e njohin mirë: dështimet janë të tyre në rrugën tonë evropiane. Le të jetë krejtësisht e qartë: të vetmit që po destabilizojnë vendin janë VMRO dhe VLEN, me politikat e tyre të dështuara, me kapjen e institucioneve dhe me sabotimin sistematik të çdo përpjekjeje për integrim evropian”, shkruan në reagim Bexheti.

Kur nuk ke asnjë zgjidhje për qytetarët, vijon më tej reagimi, kur nuk ke vizion dhe asnjë rezultat për të treguar si dhe nëncmim total të shqiptarëve – e vetmja armë që të mbetet është gjuha e shpifjes dhe e manipulimit.

“Por qytetarët nuk mashtrohen më. Të gjithë e shohin qartë kush punon dhe kush gënjen. Kush angazhohet për rrugn tonë evropiane. Gënjeshtrat e Mucunskit dhe të të tjerëve nuk do t’i shpëtojnë nga llogaridhënia. Dhe koha e llogaridhënies po afrohet”, shkruan Bexheti.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Jashtme i kanë dhënë dritë jeshile mbrëmë një mesazhi-informatë deri te ambasadorët e huaj në Shkup, ndërsa “informojnë” për një, siç thuhet në mesazh, “përpjekje të koordinuar për të destabilizuar rendin publik në Shkup”. Mesazhi te i cili ka arritur gazeta KOHA, i është dërguar drejtpërdrejtë ambasadorëve në anglisht, ndërsa në të përmendet kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Blerim Bexheti, dy persona nga Hani i Elezit dhe një nga Gërçeci.

“Sipas këtyre të dhënave, nën drejtimin e Blerim Bexhetit dhe në koordinim me Danela Arsovskën, po organizohen qëllimisht zjarre të qëllimshme në zona të ndryshme të qytetit. Këto akte raportohet se po ekzekutohen nga individët B.Vila nga Kosova dhe I.Luri, me synim krijimin e kaosit dhe diskreditimin e kapaciteteve të shërbimeve publike”, thuhet në mesazhin që zyrtarë qeveritar i kanë përcjell ambasadorëve në Shkup.

“Ajo që është veçanërisht shqetësuese është fakti se thuhet se fëmijë po përdoren si ndihmës në disa nga këto operacione, nën udhëzimet e M. Sulejmanit. Gjithashtu, në muajin qershor, B. Vila ka qenë i përfshirë në një incident me armë zjarri së bashku me aktivistë të koalicionit VLEN. Nuk ka pasur viktima apo të lënduar, dhe ngjarja nuk është raportuar në organet kompetente”, thuhet në letër-mesazhin e zyrtarëve të Qeverisë në Shkup, ndërsa shtojnë se ditëve në vijim do të ketë informacione shtesë dhe më konkrete.

Në ndërkohë, është Danella Arsovska ajo e cila ka “demaskuar” tentimin e Qeverisë për të krijuar huti dhe gjetur fajtorin fiktiv për zjarret.

Në një postim në Facebook, Arsovska thotë se gjithçka është trillim i “Shtabit për menaxhimin e krizës”.

“Kanë trilluar një skenar të ri: kur të ketë zjarre, të thonë se unë jam fajtore, që i organizoj për të destabilizuar shtetin. Dhe këtë, me gjithë mend, e kanë shkruar nëpër mesazhe, madje edhe ambasadorëve, për ta paralajmëruar ‘planin’ që, gjoja, ua kanë dhënë burime ‘të sigurta’ të shërbimeve inteligjente”, shkruan kryetarja e Shkupit, ndërsa pyet VMRO-në: A keni fare turp, bashkë me komandantët tuaj të dashur të UÇK-së? (koha.mk)