Beteja speciale e Edi Ramës–a do të gjejë aleatë për t’a shpëtuar Hashim Thaçin - Gazeta Express
string(78) "beteja-speciale-e-edi-rames-a-do-te-gjeje-aleate-per-ta-shpetuar-hashim-thacin"

Beteja speciale e Edi Ramës–a do të gjejë aleatë për t’a shpëtuar Hashim Thaçin

Lajme

Gazeta Express

21/06/2022 18:13

Në fillim të majit  kur shkoi në Hagë, Edi Rama, në stilin e tij, tha se në hyrje të burgut kur i u kërkua arsyeja e vizitës e kishte shkruar “Më ka marrë malli”. Pasi është çmallur me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe të akuzuarit tjerë , Kryeministri shqiptar paralajmëroi ofensivë kundër Gjykatës Speciale e cila sipas narracionit të Ramës arrestoi një “President pa akuzë”.  Beteja që e paralajmëroi dje,  pas vizitës që i kishte bërë familjes Thaçi në Burojë, me vërejtjen se kjo nuk do t’u pëlqejë “ambasadorëve në Prishtinë”, po i vë në siklet lidershipin aktual në Prishtinë që nuk e kanë këtë temë në agjendë si ai. Rama tha se do të trokas në të gjitha adresat përfshirë Joe Bidenin, Boris Johnsonin, Olaf Scholz dhe Emmanuel Macronin për t’i animuar se Specialja ka ardhur si rezultat i “fabrikës së gënjeshtrave ruse”. A do t’ia dalë Rama?

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Përveç darkës me gazetarët e pjesëtarët e shoqërisë civile, tymit të ngritur se erdhi për t’ia kurdisur rrëzimin Kurtit në shtator, ndërveprimet me këtë të fundit gjatë takimit të dy qeverive, e marrëveshjeve Tiranë-Prishtinë, Rama në fundin e vizitës së tij në Kosovë është kujdesur që të fillojë një “ofensivë” kundër Gjykatës Speciale me seli në Hagë. Ai ka paralajmëruar përgatitjen e një Rezolute që do ta çojë edhe në Strasburg, e në të cilën do të kërkojë që Këshilli i Evropës të distancohet nga Raporti i Dick Martyt. Ai ka ftuar për reflektim Shtëpinë e Bardhë e gjithë fuqitë perëndimore që e kanë përkrahur Specialen, meqë sipas Ramës, nuk është e pamundur që të gjithë të kenë rënë në grackën e Rusisë. Derisa thotë se edhe nëse Specialja s’është rezultat i një plani ta parapërgatitur rus, ajo çfarë është sot Gjykata Speciale i shërben vetëm Rusisë.

Para se të vihej në lëvizje Gjykata Speciale, tandemi Hashim Thaçi-Edi Rama ka qenë më i përfoluri në media, kjo për shkak të qëndrimeve dhe bashkëpunimit të tyre për procese të caktuara politike, përfshirë edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ky raport i bashkëpunimit ndërshtetëror, tek Rama e Thaçi thellohej edhe më tej, për shkak të afërsisë personale që të dy kishin. Madje Rama nuk kursente të quante edhe “gomarë”, ata që ia vendosnin Thaçit damkën e tradhtarit si rezultat i negociatave me Aleksander Vuçiqin.

Vendimi i Prokurorisë Speciale të Hagës për ngritje të aktakuzës ua ndërpreu bashkëpunimin dyshes Rama-Thaçi, i cili para një muaji u ribashkua në qendrën e paraburgimit në Hagë, meqë kryeministrin shqiptar e kishte marrë malli për Hashimin.

Pas kësaj vizite atje, Rama nëpër intervista e takime të ndryshme ka folur për atë se Hashim Thaçi është shumë mirë me shëndet, derisa pas një vizite në familjen e Thaçit para dy ditësh në Burojë dhe gjatë qëndrimit disa ditor në Kosovë, Rama ka bërë publik planin e tij për një revansh masiv kundër kësaj Gjykate, duke aluduar edhe në lidhjet e kësaj të fundit me Rusinë përmes Dick Martyt. Për këtë plan të tij, Rama ka treguar se do të kërkojë rishikim pozicionesh edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Joe Biden, e të gjithë shtetet që e financojnë dhe që e kanë sponsorizuar Gjykatën Speciale.

“Në këndvështrimin tim shumë personal, është sot një arsye shumë e fortë, për Perëndimin që të ndalet dhe reflektojë se ça ka bërë me atë gjykatë, dhe a është ajo gjykatë pa asnjë lidhje me dorën e Vladimir Putinit dhe të Moskës, unë e kam si pyetje”, ka thënë Edi Rama gjatë promovimit të librit të ish-kryediplomatit kosovar, Enver Hoxhaj, që për temë ka politikën ruse karshi rajonit dhe në mënyrë të veçantë Kosovën.

Teksa lexonte pasazhe të librit të Enver Hoxhajt, ku thuhet se Vladimir Putin në luftë e sipër me Perëndimin kishte ndërtuar një “fabrikë gënjeshtrash për Kosovën”, Rama ka thënë se gënjeshtra më e madhe e Putinit është ajo për UÇK-në.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Rusia planin e saj për të diskredituar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ka çuar deri në pikën e themelimit të një Gjykate Speciale, themelim në të cilin ka marrë pjesë edhe vetë Kosova dhe që është kërkuar edhe me ngulm nga ndërkombëtarët.

Shefi i qeverisë shqiptare ka thënë se pas themelimit të kësaj gjykate, ka ndodhur diçka e paprecedentë në historinë e të drejtës ndërkombëtare, e që sipas tij është “arrestimi dhe mbajtja në burg e një presidenti pa akuzë”.

“Dhe me rezultat diçka të pa ndodhur në historinë e të drejtës ndërkombëtare, arrestimin e një presidenti në detyrë pa akuzë, dhe mbajtjen në burg të një presidenti, pa akuzë. Imagjino sikur cilido nga vendet që e kanë sponsorizuar dhe mbështetur tribunalin, t’i kapej presidenti i tyre pa akuzë, dhe t’iu thuhej prit tani atje sa të dali akuza”, ka thënë Rama.

Teksa ka folur për përpjekjen e Rusisë për të diskredituar UÇK-në, Edi Rama, ka përmendur edhe “Shtëpinë e Verdhë”, vend ky i pretenduar e shumëpërfolur në raportin e Dick Martyt, i cili pretendohet se ka shërbyer për trafik organesh. Rama thotë se karshi një trillimi të tillë duhet reflektuar duke filluar nga amerikanët e deri tek të gjithë miqtë ndërkombëtarë që kanë bërë presion për themelimin e Gjykatës Speciale.

Kreu i Qeverisë shqiptare ka thënë se është detyrë e tij dhe Kuvendit të Shqipërisë që ta vendos një çështje të tillë përballë të gjithëve, duke filluar nga Joe Biden e deri tek Scholz e Macron.

“Dhe surpriza më e madhe që duhet t’i bëjë të reflektojnë shumë, që nga miqtë tanë të paçmueshëm amerikanë, tek të gjithë miqtë e tjerë perëndimorë, të cilët janë autorët ose bashkautorët e çlirimit të Kosovës, është shpija e verdhë dhe tribunali. Doli një shpi e verdhë, u mbush bota me veshka dhe mëlçi që Hashim Thaçi bashkë me Kadri Vaeselin ua hiqshin nga trupi serbëve apo edhe shqiptarëve që kishin inat, dhe i shisnin nëpër pazaret e peshkut dhe mishit nëpër Evropë. Një tmerr i pakrahasueshëm për të diskredituar totalisht një luftë çlirimtare. Mirëpo ka një pyetje, për të cilën për sa na takon dhe për sa më takon, do të bëjmë çmos që ta vendosim mu përball të gjithëve. Që nga Joe Bideni, tek Boris Johnsoni, tek Olaf Scholz dhe tek gjithë të tjerët me radhë, duke përfshirë Macronin dhë kë tjetër të doni ju”, ka thënë Rama.

Tutje në fjalën e tij, Rama ka thënë se si është e mundur që Gjykata Speciale e ngritur me miratimin e Këshillit të Evropës mbi pretendimet për trafik organesh, në aktakuzën e ngritur s’ka kurrfarë lidhje as me “Shtëpinë e Verdhë” as me trafikun e organeve e asgjë tjetër. Teksa pyet për lidhjen e mundshme mes Dick Martyt dhe Rusisë, Rama thekson faktin se Moska në vazhdimësi po i kundërvihet Shqipërisë në Këshill të Sigurimit me raportin e Dick Martyt dhe “Shtëpinë e Verdhë”, madje thotë se një “përrallë” të tillë kanë filluar ta përdorin edhe në Ukrainë.

Kreu i Qeverisë shqiptare thotë se duhet ngritur zëri dhe duhet thënë “stop”, pretendimeve të tilla për Thaçin, Veselin, Selimin, Jakup Krasniqn dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Pyetja është kjo, si shpjegohet që një tribunal i ngritur si rezultat fundor i një raporti që mori bekimin e Këshillit të Evropës, me gjithë akuzat që kishin në qendër këtë shpinë e verdhë, kanë nxjerrë një aktakuzë ku s’ka asgjë, xerro, lidhje, as me shpinë e verdhë, as me organe, as me jorganë, as me asnjë gjë tjetër. Dhe çfarë lidhje ka, midis Dick Martyt, jo si person, se s’kam asnjë respekt për atë person dhe më vjen edhe keq që duhet t’ia zë emrin… çfarë lidhje ka, që Rusia na kundërvihet në Këshillin e Sigurimit me trafikun e  organeve dhe me Dick Martyn, dhe si shpjegohet që përralla e trafiktut të organeve është një përrallë që përdoret nga rusët edhe në rastet tjera. Ka dalë edhe në luftën me Ukrainën çështja e trafikut të organeve, nga ana e segmenteve të caktuara të forcave ushtarake ukrainase në dëm të popullsisë ruse. Unë s’jam aspak njeri i dhënë pas teorive të konsiparacionit, dhe nuk kam absolutisht asnjë qëllim këtu që të kthej një teori konspirative në një demarsh shtetëror, por janë gjëra shumë të rënda këto në kontekstin e luftës së sotme. Dhe sa na takon neve si shqiptar, mendoj që për ta merituar ne, të paktën ne që flasim shqip, dhe që kemi privilegjin e mikrofonave dhe kamerave, për ta merituar në këtë duhet të mos e pranojmë më këtë farsë me Hashim Thacin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe UÇK-në”, ka thënë Edi Rama në fjalën e tij.

Kreu i Qeverisë shqiptare ka thënë se nuk është e pamundur që i gjithë komuniteti ndërkombëtar të ketë rënë prej e një gracke të Rusisë me rastin e Gjykatës Speciale., dhe sipas tij, si rezultat i kësaj,  SHBA-ja dhe presidenti Joe Biden duhet të njihen me këtë çështje, të reflektojnë dhe udhëheqin këtë reflektim për çështjen e Gjykatës Speciale. Rama tutje thekson që edhe nëse Specialja nuk është themeluar si rezultat i një plani rus, sido që të jetë ndërtuar, sot i shërben vetëm Rusisë dhe askujt tjetër.

“Ne kemi punë me gjithë korpusin politik që i dha jetë kësaj gjykate. Ne jemi shumë të vegjël për t’i kërkuar SHBA-së që të reflektojnë, por për hir të vërtetës Shtëpia e Bardhë duhet të reflektojë për këtë çështje. Presidenti i SHBA-së duhet të njihet me këtë çështje dhe të udhëheq këtë reflektim të madh, sepse këtu nuk është e pamundur që gjithë ky komunitet vendesh të ketë rënë në një grackë e ngritur nga Rusia, nuk është e pamundur. Por edhe në mos qoftë një grackë e ngritur nga Rusia me një plan të qartë dhe të ndjekur hap pas hapi, që ka shumë mundësi, edhe në mos qoftë kjo, e gjithë mënyra se si është ndërtuar kjo, sot i shërben Rusisë. Nuk i shërben Perëndimit, nuk i shërben demokracisë, as drejtësisë, nuk i shërben as viktimave të luftës, fare, xerro”, ka shtuar tutje Edi Rama.

Në vazhdimin e fjalimit të tij, Edi Rama ka thënë se si Shqipëri do të përgatisin një Rezolutë, si hap të parë, e më pas do të vazhdojë përpjekjen edhe në Strasburg në Këshill të Evropës që të distancohen nga raporti i Dick Martyt, meqë s’është gjetur asgjë nga gjithë pretendimet.

“Ne po përgatisim një Rezolutë. Unë përgjithësisht i kam bezdi këto rezolutat sepse ne mblidhemi në këto kuvendet tona, merremi me gjithë botën me rezoluta, dhe kujtojmë se po merret njeri me rezolutat tona. Por në këtë rast, rezoluta që ne do të bëjmë lidhur me raportin e Dick Martyt, Këshillin e Evropës, lidhur me gjyqin ndaj UCK-së, sepse ai është gjyq ndaj UCK-së nuk është gjyq fare ndaj personave. Sepse edhe ajo aktakuza po ta shikoni, aty është me e marrë gjithë Kosovën me e fut në burg. [Reozluta] është një hap i parë, për të paralajmëruar hapin e dytë, që do të jetë në shtator në Strasburg, ku do të shkoj edhe personalisht atje, për ta ngritur çështjen atje, në Këshillin e Evropës, dhe për t’i kërkuar Këshillit të Evropës që të distancohet nga Dick Marty, sepse s’ka asnjë provë, janë bërë të gjitha hetimet e mundshme dhe të imagjinueshme, dhe nuk është gjetur as shpi e verdhë dhe asnjë shenj e asnjë lidhje mes gjithë organeve të trupit dhe organeve të UÇK-së, xerro. Duke qenë se Këshilli i Evropës u bë platforma për të ngritur gjithë këtë batërdi që ka ofenduar kombin shqiptar, që ka poshtëruar heronjtë, dëshmorët dhe luftëtarët e UCK-së botërisht, dhe që ka nëpërkëmbur në mënyrën më fyese kujtimet e të gjitha viktimave, dhe ka bërë pis të gjithë lotët e nënave dhe baballarëve që kanë çuar në varr fëmijët e tyre të vrarë në luftë, është koha që Këshilli i Evropës ta kuptoj këtë gjë. Nëse është Këshilli i Evropës, në qoftë se është aty për të mbrojtur vlerat e Evropës, dhe një nga vlerat e Evropës që na mësuar dhe ne, është që të kërkojmë dhe falje kur bëjmë gabim. Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, me një Rezolutë që ka këtë kuptim”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama ka thënë se nuk mund të vazhdohet të durohet një poshtërim i tillë i fajësimit kolektiv, derisa potencon se kush ka bërë faje vetjake të mbaj përgjegjësi.

“Pastaj lë të bëhet gjyqi. Por këtu duhet ndahet kjo cështje. Duhet ndahet shumë qartë. Është e pamdunru që të durohet një poshtërim i tillë permanenet. Që hedh balt mbi një popull të tërë, kush ka bërë faje vetjake le t’i mbajë dhe t’i paguaj. Po këto fajet koletkvie, të ngritura në nivelin e një drejtësië ndërkombëtare janë një turp” ka thënë Rama.

Kreu i Qeverisë shqiptare ka thënë se është e papranueshme që Rusia t’ia drejtoj gishtin Shqipërisë në Nju Jork që “shkoni e jepni llogari për organet që keni trafikuar dhe pastaj hajdni flisni këtu, sepse sot e gjithë ditën s’keni dhënë llogari. Kjo është e papranueshme. Dhe do të reagojmë shumë fort në këtë drejtim. Jo vetëm me llafe por edhe me akte”./GazetaExpress/