Beteja me mësuesit: Kurtit i ndahen deputetët, së paku 6 kundër Qeverisë për pagat - Gazeta Express
string(80) "beteja-me-mesuesit-kurtit-i-ndahen-deputetet-se-paku-6-kunder-qeverise-per-pagat"

Lajme

Gazeta Express

05/10/2022 15:21

Beteja me mësuesit: Kurtit i ndahen deputetët, së paku 6 kundër Qeverisë për pagat

Lajme

Gazeta Express

05/10/2022 15:21

Për mosekzekutimin e pagave të mësuesve, Qeveria Kurti nuk e ka përkrahjen e krejt Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Së paku gashtë deputetë të Kurtit deklarojnë se Qeveria duhet t’i qesë rrogat. Një nga ta dyshon se Kryeministri Kurti ka plan vazhdimin e destabilitetit.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Në Grupin Parlamentar të LV-së, që tash përbëhet prej 57 deputetëve, ka zëra kundër qëndrimeve të ndryshme të Qeverisë, e sidomos ndaj mosekzekutimit të pagave të mësuesve në muajin shtator, kur mbajtën grevë.

Deputeti Eman Rrahmani prej kohësh ka kritikuar qasjen e Qeverisë, duke i parë krejt të drejta kërkesat e përfaqësuesve të mësimdhënësve.

Dje, ai ka mbajtur anën e deputetëve të opozitës, derisa ata po përplaseshin me kolegët nga Vetëvendosje, që po mbronin ministrin e Financave, Hekuran Muratin, për mosparaqitje në Komisionin parlamentar.

Rrahmani jo vetëm se u pajtua me opozitën, por shpërtheu në akuza ndaj pjesëtarëve të kabinetit të Kryeministrit Albin Kurti.

“Unë me opozitën pajtohem. Asnjë arsye ministri nuk e ka mos me qenë sot këtu. Janë tu e cenu integritetin e secilit deputet, tu u lajmëru dy minuta para orës dhjetë. Kjo është e turpshme për të gjithë. Neve po na pamundësohet me qenë funksional. Para kësaj nuk erdh ministri Shëndetësisë, para tij ministrja e Arsimit”, ka thënë Rrahmani dje në mbledhjen e Komisionit, ku mungoi ministri Murati.

Kjo nuk ishte e tëra nga Rrahmani gjatë ditës së djeshme. Pak më vonë, ai shkroi edhe në profilin e tij në Facebook, duke kërkuar që t’i jepen pagat të gjithë mësimdhënësve.

“Pagat duhet të procedohen për të gjithë mësimdhënësit, orët e humbura duhet të kompensohen deri në përfundim të vitit shkollor”, shkroi deputeti i LV-së.

Pak orë më vonë, deputetja e Listës Guxo, pjesë e Grupit Parlamentar të LV-së, Jeta Statovci, deklaroi se ajo nuk pajtohet me ndaljen e pagave të mësuesve për muajin shtator.

“Sa i përket grevës së sindikalistëve, më vjen mirë që më në fund nxënësit i janë kthyer bankave shkollore. Por,  nuk mund të pajtohem me mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit për muajin shtator”, ka shkruar Statovci në profilin e saj në Facebook.

Deputeti tjetër i Listës Guxo, Haxhi Avdyli, është pajtuar publikisht me kolegen e tij, duke thënë se mësuesve duhet t’u dalin rrogat e shtatorit.

“Edhe unë si deputet i Kuvendit të Kosovës nga Partia Guxo , pjesë e grupit parlamentar të VV- së, pajtohem me konstatimin e koleges Jeta Statovci që duhet të kryhen pagesat e pagave të mësimdhënësve  grevist”, ka shkruar Avdyli.

Fatmir Humolli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, që prej kohësh mban qëndrime të kundërta me Qeverinë, shkon një hap më tutje se kolegët e tjerë të partisë. Ai përmend “dyshime” se Kryeministri Kurti dëshiron që greva të vazhdojë.

“Ka dyshime që Qeveria dëshiron ta vazhdojnë grevën punëtorët e arsimit, kurrgjë tjetër. Në mënyrë tërthorazi po i thërret punëtorët e arsimit që të ta vazhdojnë, sepse ka nevojë për destabilizim të vendit kaq”, ka thënë Humolli të martën në një deklarim në Gazetën Blic.

Deputeti i shumicës thotë se Qeveria Kurti duhet të bie.

Gramos Agusholli, deputet i LV-së, i afërt me Eman Rrahmanin, që edhe më parë ka kundërshtuar partinë për votimin e draftkodit civil, thotë se rrogat e mësuesve duhet të dalin. Por, në këtë rast, ai beson se veprimi i Qeverisë është ligjërisht i drejtë. Megjithatë, thotë ai, duhet marrë parasysh situatën ekonomike.

“Unë mendoj se si veprim ligjërisht është i drejtë, por a duhet të aplikohet, mendoj se jo, për shkak të situatës ekonomike, por në anën tjetër edhe mësimdhënësit duhet të japin premtimin që orët e humbura duhet të kompensohen”, ka thënë ai për Gazetën Express.

Se pagat duhet të ekzekutohen, ka thënë dje edhe deputeti tjetër i LV-së, Alban Bajrami. Njëjtë si shumica e deputetëve paraprakë, ai thotë se përveç pagave, duhet të zëvendësohen edhe orët e humbura të mësimit. 

“Duhet të gjejnë një konsensus Qeveria me SBASHK-un dhe me Ministrinë e Arsimit. Pagat duhet të ekzekutohen”, tha deputeti Bajrami për Gazetën10.

Mosekzektutimin e pagave të mësimdhënësve, Qeveria e mbështet të ligji për të drejtën e pagës, një nen i së cilit interpretohet se thotë se punonjësit nuk duhet të paguhen për kohën sa kanë mbajtur grevë.

Deputetja juriste, Doarsa Kica – Xhelili, e cila deri së voni ishte pjesë e Grupit Parlamentar të LV-së, thotë se në fakt, Qeveria nuk ka fare të drejtë që t’i ndalë pagat e mësimdhënësve.

“Qeveria në asnjë variant nuk ka të drejtë. Qeveria është e shkëputur nga marrëdhënia kontraktuale e komunës dhe mësimdhënësit”, thotë ajo.

Sipas saj, është në dorën e komunave që të vlerësojë dhënia e pagave për grevistët, por assesi e Qeverisë.

Mësuesit kanë pezulluar grevën duke nisur këtë të hënë vitin e vonuar shkollor, ndonëse Qeveria nuk plotësoi kërkesat e tyre. Por, ata nuk janë paguar për muajin shtator, sa kanë qëndruar në grevë.

Juristë dhe opinionistë janë ndarë në dy grupe. Njëri që thotë se është e kundërligjshme dhe shkel të drejtat për grevë mosdhënia e pagave, ndërsa të tjerë mendojnë se Qeveria po vepron komfor ligjit.

Ministria e Arsimit ka dalë dje me kalendarin e vitit të ri shkollor, ku ka përfshirë zëvendësimin e orëve të mësimit që janë humbur gjatë grevës. Ndërsa, nuk ka deklarim zyrtar se do t’i ekzekutojë pagat e ndalura të mësimdhënësve. As për plotësimin e kërkesave, që çuan në grevën njëmujore. /Express/