Beteja është e argumentave jo e emocioneve dhe patetizmit - Gazeta Express
string(57) "beteja-eshte-e-argumentave-jo-e-emocioneve-dhe-patetizmit"

Beteja është e argumentave jo e emocioneve dhe patetizmit

Ermal Mulosmani

06/11/2020 16:03

Kur pashë dje Hashim Thaçin, me zërin që i dridhej, të lajmëronte dorëheqjen e tij nga posti i Presidentit të Republikës së Kosovës e pata një moment ligështimi. Sidomos fjalitë e fundit të Presidentit:

“Ju ftoj të ruani qetësinë dhe të shmangni çdo lloj manifestimi publik me motiv mbështetës apo protestues. Drejtësia nuk bëhet në rrugë por në ballafaqim të argumenteve. Ju falenderoj përulësisht për besimin që më keni dhënë. Kjo nuk është “Lamtumirë” por vetëm “Mirupafshim”. Do të shihemi prapë, do të dalim faqebardhë, ky është premtimi im për ju”!

Lexo Edhe:

Bashkëvuajtja me të dobëtin, të rrezikuarin, është një ndër cilësitë më të pakushtëzuara të njeriut, në thellësi të qenies së tij. Po burgosej Presidenti i Republikës, mishërimi i shtetit por mbi të gjitha po burgosej simboli i luftës për liri të Kosovës. Kush nuk e pranon këtë fakt ka një problem me pranimin e të vërtetës.

Në këtë fazë të parë, emocionale, nuk mund të mos vihej re edhe një koincidencë mjaft cinike. Konfirmimi i akuzës po vinte në ditën kur gjithë bota i kishte sytë në zgjedhjet e USA-s, aleatit dhe beniaminit më të qendrueshëm të Hashim Thaçit në historinë e tij politike. Një dorë djallëzore, e njëjtë me atë të Qershorit të këtij viti, kur në prag të nisjes për në Shtëpinë e Bardhë, bëri publike akuzat e Gjykatës, u kujdes që edhe konfirmimin e tyre ta bënte në një moment të tillë, mjaft domethënës për Thaçin dhe liderët e tjerë të UÇK-së.

Mirëpo pas kalimit të kësaj dallge emocionale, vjen e fokusohesh në fakte. A mund të ndodhë që Gjykata Speciale të ndëshkojë pa fakte dhe dëshmitarë, pra të inskenojë gjyqe politike? A dëmtohet imazhi i UÇK-së nëse akuza për krime lufte bie poshtë? A mos duheshin injoruar, fshehur, faktet kriminale të eksponentëve të UÇK-së në emër të luftës për liri?

Përgjigja për këto tri pyetje, sipas meje është “JO”. Nuk mundet të dënojë Gjykata pa fakte! Nuk dëmtohet imazhi i UÇK-së nga rrëzimi i akuzave, përkundrazi, dhe e fundit, Jo, nuk duheshin zhdukur, eleminuar ose moskonsideruar faktet ose dëshmitë për krime lufte.

George Orwell në esenë e tij “Mbi Nacionalizmin” shkruan:

“Çdo nacionalist është i bindur se e shkuara mund të ndryshohet. Ngjarjet që nuk duhej të kishin ndodhur lihen mënjanë pa u përmendur ndërsa në fund mohohet të kenë ndodhur. Në vitin 1927 Chiang Kai Sheku zjeu të gjallë qindar komunistë, e, megjithatë ai u bë brenda dhjetë vjetëve heroi i së majtës. Riorientimi i politikës botërore e sjell atë në kampin antifashist dhe disa e ndiejnë që zierja e komunistëve në vitin 1927 “nuk ka rëndësi”, ose ndoshta nuk ka ndodhur”.

Unë nuk jam i sigurtë që kjo ka ndodhur edhe në Kosovë. Pra që në emër të lirisë dhe rreshtimit në frontin e duhur janë bërë krime ndaj elementëve të caktuar siç thotë aktakuza. Por nëse ka një akuzë të tillë është e domosdoshme të përballesh me të. Hashim Thaçi dhe liderët e tjerë të UÇK-së duhet ta rrëzojnë atë akuzë pasi vetëm ashtu i bëjnë punë vetes së tyre dhe kauzës së luftës për liri. Eleminimi, mospërballja me akuzën, në fakt, është një konfirmim i heshtur i saj. Jam i bindur se shanset më të mëdha për udhëheqësit e Kosovës janë të dalin të pafajshëm. Akuza nuk është asgjë, as konfirmimi i saj paraprak në Gjykatë nuk është ndonjë gjë e madhe. Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e të tjerë kanë shkuar janë ballafaquar me to dhe janë kthyer fitimtarë.

Sllogani që doli në mbështetje të ish luftëtarëve të lirisë- “Liria ka emër-UÇK!” synonte emocionet më shumë se logjikën. “E çfarë pastaj se UÇK-ja na solli lirinë?” – mund të thotë prokurori i Gjykatës Speciale.

Qenia në një moment kyç të historisë, në anen e duhur e fitimtare nuk do të thotë që ti përjetësisht do rrethoshesh nga dafinat. Nëse në emër të lirisë janë bërë krime atëherë krahas dafinave të lavdisë është edhe rreziku i burgut.

Përveç kësaj, sllogani “Lirinë e solli UÇK-ja” sjell edhe përçarje mes shqiptarësh. Në renditjen e çmimit të paguar për lirinë e Kosovës nuk janë çlirimtarët në vendet e para. Nëse vuajtjet njerëzore, fizike apo shpirtërore, do të kishin njësi matëse janë të tjerë njerëz ata që zënë peshën kryesore. Janë të heshturat e dhunuara që nuk panë më ditë, që përbuzen sot e kësaj dite, nga të gjitha palët, janë të torturuarit, popullsia civile, fëmijët, të pambrojturit ne përgjithësi. Ata nuk duan të dënohen gjithë jetën me përulje, mirënjohje ndaj luftëtarëve. “Askush-thotë Dostojevski- nuk pëlqen të shohë te tjetri mirëbërësin e tij të përjetshëm”. Boll me këso slloganesh patetike se veç ndarje prodhojnë. Kostot e vërteta të lirisë nuk paguhen në transhetë e luftës por në dramat personale të civilëve të pambrojtur.Kosova duhet të jetë e bashkuar. Jo rreth emocioneve por rreth logjikës, argumentave, fakteve. Nuk mundet të shkohet larg me emocione.

Në rast se liderët e UÇK-së dalin të fituar nga kjo betejë e fundit ia zbardhin vetes faqen në radhë të parë e pastaj Kosovës. Nëse nuk ia dalin fajësojnë veten e njollosin UÇK-në. Kosova dhe liria janë koncepte më të mëdha se kaq.

Siç tha vetë Hashim Thaçi “Drejtësia nuk bëhet në rrugë por në ballafaqim të argumenteve”.