Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka vizituar një fabrikë të skeleve në këtë komunë, e cila tashmë eksporton produktet e saj në 12 shtete të botës. Ai e ka cilësuar këtë si shembullin më të mirë të fuqisë së iniciativës private dhe të tregut të lirë në krijimin e zhvillimit ekonomik dhe vendeve të reja të punës.
“Vizita jonë në fabrikën e skeleve në Fushë Kosovë na bëri krenarë për suksesin e një biznesi vendas që eksporton në 12 shtete të botës, përveç tregut lokal. Ky është shembulli më i mirë se si iniciativa private, tregu i lirë dhe konkurrenca sjellin zhvillim ekonomik dhe rrisin punësimin në qytetin tonë”, ka deklaruar Osmani.
Ai theksoi se LDK si parti e djathtë beson fuqishëm se mbështetja e biznesit privat është çelësi për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Fushë Kosovë.
“Ashtu siç komuna ka mbështetur deri më tani iniciativat e tilla, ne do ta rrisim edhe më fuqishëm këtë rrugë, duke i dhënë hapësirë dhe përkrahje të plotë sipërmarrjes vendore”, u shpreh kandidati i LDK-së.
Ai ka thënë se me këtë qasjeje Fushë Kosova do të ketë një ekonomi më të fortë dhe më shumë mundësi për qytetarët.