Financim i gjelbër i plotësuar me grante të BE-së
– Hua e BERZH-it për ProCredit për nxitje të investimeve të gjelbra nga NVM-të në Kosovë
– 25 për qind e NVM-ve të mbështetura do të jenë të udhëhequra nga gra
– BE-ja do të ofrojë stimuj për investime në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po e forcon partneritetin e vet me Bankën ProCredit në Kosovë për avancimin e investimeve të gjelbra dhe rritjen gjithëpërfshirëse mes ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM).
Banka po ofron 10 milionë euro në kuadër të programit të vet për NVM të Gjelbra për kreditim të mëtutjeshëm për firma lokale, duke ua mundësuar të rrisin konkurrueshmërinë dhe potencialin e tyre tregtar përmes investimeve të targetuara për qëndrueshmëri dhe përvetësimit të standardeve të cilësisë të njohura ndërkombëtarisht.
Huaja do të plotësohet me stimuj në formë të granteve deri në 1.5 milion euro të financuara nga Bashkimi Evropian (BE) përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor. Firmat lokale do të marrin deri në 15 për qind të vlerës së kredisë së tyre pas përfundimit me sukses dhe validimit të investimit.
Të paktën një e treta e investimeve të mbështetura do të jenë në zinxhirin e vlerës së agrobiznesit dhe të paktën një e katërta e NVM-ve të financuara do të jenë të udhëhequra nga gra ndërmarrëse.
Financimi, i cili është plotësisht në përputhje me qasjen e BERZH-it për Tranzicionin e Ekonomisë së Gjelbër, do t’i dedikohet tërësisht investimeve të gjelbra.
Marrëveshja e u nënshkrua nga Zëvendës Presidenti i BERZH-it për Bankat, Matteo Patrone, dhe Kryeshefi Ekzekutiv i ProCredit, Visar Paçarada, gjatë një vizite të z. Patrone në Kosovë.
Z. Patrone u shpreh se: “Mbështetja e bizneseve të vogla në tranzicionin e tyre drejt modeleve më të gjelbra dhe më gjithëpërfshirëse të biznesit është në zemër të misionit të BERZH-it. Ky partneritet me ProCredit do të ndihmojë në çlirimin e investimeve për efiçiencë të energjisë, agrobiznes dhe ndërmarrje të udhëhequra nga gratë, duke nxitur rritje të qëndrueshme dhe reziliencë në mbarë vendin”.
Z. Paçarada u shpreh se: “Në Bankën ProCredit, ne jemi të përkushtuar të jemi më shumë sesa thjesht një partner financiar – ne synojmë të jemi nxitës të ndryshimeve pozitive. Ky partneritet na lejon të zgjerojmë mbështetjen tonë për NVM-të, duke ua mundësuar të përvetësojnë praktika më të gjelbra, duke forcuar agrobiznesin dhe duke fuqizuar ndërmarrjet e udhëhequra nga gratë. Së bashku, po investojmë në një ekonomi më të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe reziliente për të ardhmen”.
ProCredit, një partner i hershëm i BERZH-it, është bankë kryesuese për NVM-të në Kosovë, e njohur për përkushtimin e vet në mbështetjen e bizneseve lokale dhe avancimin e transformimit të gjelbër. BERZH-i ka poseduar një pakicë të aksioneve në ProCredit mes viteve 2001 dhe 2007.
Ky projekt i ri financimi është në përputhje me përkushtimin e BERZH-it për mbështetjen e tranzicionit të Kosovës drejt një ekonomie me karbon të ulët, duke nxitur inovacionin dhe duke promovuar barazinë gjinore.
Gjithsej, BERZH-i ka investuar më shumë se 800 milionë euro përmes 126 projekteve në Kosovë.
Këtë vjeshtë, çantat Lucky Bees janë aksesorët që çdo grua duhet t’i ketë. Me modele tote, crossbody dhe shpine,...