Gjashtë persona u lënduan në një sulm në Boulder, Kolorado, pasi një burrë dyshohet se ka hedhur një pajisje ndezëse në një turmë dhe ka bërtitur “Liri Palestinës”, në atë që FBI po e trajton si një “akt terrorizmi”.
Burri 45-vjeçar, i identifikuar si Mohamed Sabry Soliman, dyshohet se ka hedhur pajisjen në një grup njerëzish që ishin mbledhur në një zonë për këmbësorë për një protestë paqësore për pengjet izraelite që mbahen ende në Gaza, shkruajnë mediat e huaja.
“Është e qartë se ky është një akt dhune i synuar dhe FBI po e heton këtë si një akt terrorizmi”, tha Mark Michalek, një agjent special i FBI-së, në një konferencë për shtyp, duke cituar dëshmitarë.
Mohammad Soliman just lit a bunch of elderly Jews on fire in Colorado while shouting "Free Palestine"
Police: "Too early for a motive" pic.twitter.com/qElnrTTzwS— End Wokeness (@EndWokeness) June 1, 2025
Shefi i policisë së Boulder, Stephen Redfearn, kishte refuzuar më parë ta quante incidentin një akt terrorizmi, duke thënë se ishte shumë herët për të spekuluar mbi motivet e sulmuesit të dyshuar.
Ai tha se departamenti mori telefonata rreth orës 13:26 sipas orës lokale për “një burrë me një armë” pranë një gjykate në qendër të qytetit dhe se ”njerëzit po digjeshin”.
Kur policia reagoi, ata gjetën njerëz me lëndime që përputheshin me djegie.
Redfearn tha se policia po hetonte “një automjet me interes” në vendngjarje dhe disa blloqe ishin mbyllur.
Policia dhe skuadrat e bombave ende po “pastrojnë zonën për pajisje”, shtoi ai.
Michalek theksoi se nuk kishte prova që burri ishte i lidhur me një grup më të gjerë.
Gjashtë personat e plagosur ishin midis moshës 67 dhe 88 vjeç, ka bërë të ditur policia, dhe lëndimet e tyre varionin nga të lehta në “shumë serioze”.
Katër u dërguan në një spital lokal, ndërsa dy u desh të transportoheshin me helikopter në një spital në Aurora.
Sulmi vjen mes tensioneve të larta në Shtetet e Bashkuara për shkak të luftës së Izraelit në Gaza. /Telegrafi