Federico Bernardeschi e pranon se është krenar me lajmet se Barcelona është interesuar për të, përkundër që Juventusi e ka bërë të qartë se s’është i gatshëm ta lejojë shitjen e futbollistit në fjalë.
Anësori 25-vjeçar ishte i përfolur për një transferim potencial në Camp Nou gjatë afatit kalimtar të janarit. Mediat e huaja sugjeronin se Barcelona dëshironte ta shkëmbente Ivan Rakiticin me Bernardeschin, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, asnjë marrëveshje s’u arrit para se të mbyllej afati kalimtar i janarit dhe dy futbollistët mbetën në skuadrat me të cilat e nisën sezonin 2019/20. Mirëpo, një marrëveshje e ngjashme mund të arrihet më vonë, gjatë verës.
Bernardeschi ende është nën radarin e Barcelonës, përderisa italiani i nxiti edhe më shumë këto spekulime me deklaratën e tij të fundit të dhënë në një intervistë për gazetën italiane, Tuttosport.
“A më bën krenar interesimi i Barcelonës? Pa dyshim që po, kjo është normale. Kur një klub si Barcelona të kërkon, është burim krenarie. Por, unë veçse jam pjesë e një klubi të madh”, ka thënë Bernardeschi.
“Sinqerisht, askush s’më ka thënë asgjë, kurrkush s’më foli për afatin kalimtar. Unë kam kontratë me Juventusin, nuk është problem për mua. Jam mirë në Torino”.
“Do ta shohim çfarë do të ndodhë më vonë, por klubi nuk ka folur kurrë për këtë me mua. Në fakt, ka ndodhur e kundërta kurdo që ka pasur dyshime për të ardhmen time. Kjo më ka bërë të lumtur”.
Bernardeschi ka qenë pjesë e Juventusit që nga vera e vitit 2017, kur u transferua për 40 milionë euro nga Fiorentina. Ai i ka shënuar nëntë gola në gjithsej 91 paraqitjet e tij deri më tani. /Gazeta Express/