Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vizituar Elbasanin me rastin e Ditës së Verës. Nga “kryeqyteti” i festimeve të 14 marsit, Berisha u shpreh se kjo ditë i gjen shqiptarët më optimistë dhe besimplotë në ndryshimin e madh të 11 majit.
“Kjo ditë frymëzon çdo shqiptar që me 11 maj të ndahet nga ky regjim që i varfëroi ata gjer në palcë. Dhe unë sot nga Elbasani dua t’u premtoj shqiptarëve kudo që janë se tre muajt e parë, ajo që e kemi quajtur paketë e dhembshurisë, do të nxjerrë çdo shqiptar nga varfëria ekstreme, ata që janë.
Shqipërinë po e zbraz varfëria, ndërkohë që nuk ka një vend tjetër më të pasur në pasuri natyrore. Kështu që ju ftoj ta vazhdojmë së bashku këtë betejë. Me 11 maj ne shkojmë besimplotë, shkojmë me programin më të mirë për të ndryshuar jetën e shqiptarëve“, tha ai.
Më tej, u bëri thirrje shqiptarëve që më 11 maj të mos votojnë Edi Ramën.
“Do t’u them qytetarëve, asnjë votë për patericat e Edi Ramës, sepse ata u ftuan botërisht, pavarësisht nga mendimet e ndryshme, nëse e ndjeni veten opozitarë, bashkohuni me ne në aleancë“, u shpreh më tej kryetari i PD.