string(72) "berisha-thirrje-diaspores-ejani-votoni-me-11-maj-sherbim-historik-vendit"

Shqiperi

Gazeta Express

09/05/2025 12:28

Berisha thirrje diasporës: Ejani votoni më 11 maj, shërbim historik vendit

Shqiperi

Gazeta Express

09/05/2025 12:28

Në ditën e fundit të fushatës elektorale, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, duke i ftuar të udhëtojnë drejt Shqipërisë dhe të votojnë fizikisht më 11 maj.

Në një konferencë për mediet, Berisha theksoi rolin e rëndësishëm të diasporës në këtë proces: “Diaspora shqiptare ka qenë shpirti i kësaj fushate elektorale. Thirrja ime është, cilido prej tyre, që mund të vijë të votojë më datën 11 maj, i bën një shërbim historik vendit dhe kombit të tij. 11 Maji është dita përcaktuese e të ardhmes së kombit shqiptar”, tha ai.

Ai ngriti shqetësime mbi problemet me procesin e votimit me postë për emigrantët: “Qindra mijëra emigrantë u regjistruan për të votuar, por një çrregullim i organizuar u konstatua në dy vende me postën, e cila ka një emër autoritar, të mirë, por që shfaqi parregullsitë më të mëdha. Kjo, uroj dhe shpresoj, të mos dekurajojë, por përkundrazi, të nxisë çdo qytetar shqiptar jashtë vendit që mund të vijë këto dy ditë dhe të votojë në qendrat e votimit, do ishte një shërbim i jashtëzakonshëm, një rast unik që u jepet për t’i shërbyer vendit”.

Në të njëjtën konferencë, Berisha shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që morën pjesë në fushatë dhe e cilësoi atë si një moment të veçantë për qytetarët shqiptarë.

“Kjo fushatë, për të cilën unë dua të falënderoj me mirënjohje çdo pjesëmarrës nga të katër anët e Shqipërisë, nga Saranda në Tropojë, kjo fushatë u karakterizua me një uragan të vërtetë që buroi nga zemra dhe shpirti i popullit shqiptar”, tha ai.

Duke përshkruar kontrastin mes palëve garuese, ai u shpreh: “Dy fushata ecën paralel në territoret e vendit, njëra fushata me detyrim e narkoshtetit dhe tjetra fushata e qytetarëve të lirë të vendosur për të përzënë narkoshtetin”.

Në mbyllje, Berisha ftoi qytetarët të bashkohen në tubimin përmbyllës elektoral të koalicionit “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, që do të mbahet në Bulevardin e Ri në Tiranë.

“Sonte, kësaj fushate fantastike, që u zhvillua për një muaj, duhet t’i vendosim kurorën më të bukur në ballin e saj, në ballin e Shqipërisë. Ndaj dhe ftoj qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë të bashkohemi sot në Bulevardin e Ri në një festë madhështore të fitores të datës 11 maj”.