Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se të gjitha strukturat e PD-së janë të angazhuara në identifikimin, verifikimin dhe certifikimin e farsës elektorale.
Në një deklaratë për mediet, Berisha u shpreh se “Këshilli Kombëtar, anëtarësia e PD-së dhe 600 mijë qytetarë që nuk votuan Edi Ramën, janë në këtë gjyq publik që i bëhet farsës elektorale”.
Berisha publikoi po ashtu dëshmi, sipas tij, që tregojnë se si u mblodhën kartat e identitetit të pensionistëve që të mos votojnë.
“Këtu është dëshmia tronditëse se si punonjësi i shtetit, shkon dhe mbledh kartat e identitetit të qytetarëve, me pretekstin se do i disbursojë pensionin dhe kartat ua mban, duke ditur bindjet e tyre politike, që ata të mos votojnë”, tha Berisha.
Berisha publikoi pamjet e kartave të identitetit të hedhura përtokë në Petrelë, ditën e votimeve.
Berisha tha se denoncimi i farsës zgjedhore mbetet për të një mision. “Nuk po qëndroj kot unë kundër sepse është raporti i komunitetit ndërkombëtar që i kushton 5 faqe fushatës dezinformuese të medias, kontrollit qeveritar të medias. Dhe unë çdo ditë do mbroj të vërtetat sepse ky është interesi më i mirë i shqiptarëve”, shtoi ai.
Berisha tha se “ne kërkojmë të faktojmë çdo shqiptari dhe mbarë komunitetit ndërkombëtar se cila ishte farsa e narkoshtetit”.
“Në këtë kontekst, pra kjo betejë është sa kombëtare, aq edhe ndërkombëtare, kjo përpjekje”, shtoi ai.