Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim me drejtuesin politik të qarkut të Elbasanit Tomor Alizoti si dhe më kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 11 majit në këtë qark.
“Së pari, do bëni gjithçka të bashkoni çdo fluks opozitar. Do i shtrini dorën çdo opozitari. Do të pranoni bashkimin në diversitet. Bashkimi në diversitet është prova e tolerancës, është lakmusi për një demokrat, për një njeri që u qëndron vlerave demokratike”, u tha Berisha Berisha.
Ai u la porosi që të përqendrohen tek programi transformues që ka PD.
“Ne kemi një program që vërtet e transformon Shqipërinë. Çdo fjali, çdo fjalë, çdo bisedë, ju do shpalosni programin e PD. Kurrë mos u lodhni me këtë”, tha Berisha.
Një ftesë pati dhe për deputetët që nuk janë pjesë e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 majit.
“Në politikë, udhëtimi nuk është me një finish. Udhëtimi është i gjatë. Sot nuk u zgjodhe, nesër zgjidhesh. Ata njerëz që na përshëndetën këtu, me qindra prej tyre kanë 30 vite që na ndjekin, që na mbështesin, që sakrifikojnë dhe përsëri nuk janë bërë as deputetë dhe as nuk kanë marrë ndonjë ofiq. Ata u qëndrojnë besnikë idealeve të tyre”, u shpreh Berisha.