Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot ndaj krijimit të Operatorit Kombëtar të Ujit.
Në një konferencë me gazetarët, Berisha tha se, “çdo ditë, fatmirësisht që në Shqipëri vijnë mijëra e mijëra turistë dhe miliona, por Maldiveve të Evropës i doli kallaji. Çdo ditë e më keq, Shqipëria paraqitet si vendi i gjirizeve, vendi i mungesës së madhe të ujit, ndonëse vendi më me ujëra në Evropë”.
“Tani, doli Agjencia Kombëtare e Ujit. Përpara ka patur një Këshill Kombëtar. Këshilli Kombëtar i Ujit është këshilli i cili përcakton reformën, por siç është ent rregullator, siç është edhe për Energjinë Elektrike”, tha Berisha.
“Edi Rama pasi e shkriu Këshillin dhe e emëroi veten, kryetar të Këshillit Kombëtar të Ujit, tani mesa duket do të shkrijë, do ta marrë përsipër me një agjenci në mënyrë që ato para të ujësjellësve ti vjedhin vetë dhe të mos i vjedhin kryetarët e bashkive”, tha kreu i PD.
“A ka gjë më qesharake, më të turpshme që të dëgjosh një kryeministër se ujësjellësit, një kryeministër që ka 12 vjet që qeveris, se ujësjellësit janë mbushur me të paaftë dhe militantë. Kush ia mbushi me të paaftë dhe militantë, opozita?!”, theksoi Berisha.
“Të mendosh se t’u heqësh bashkive atributet më themelore, furnizimin me ujë dhe pastrimin e qytetit, zgjidhjen e depozitave, do të thotë se je njeriu më i pangopur, që edhe pas çdo kilogrami pleh, sheh diçka të fusësh në xhep”, shtoi Berisha.
Berisha tha se, “decentralizimi i pushtetit vendor gjatë diktaturës, ka qenë absolutisht më i madh shumë se sot, më i madh. Një fshatar për të ndërtuar një shtëpi, paraqiste në Komitetin Ekzekutiv ose në lokalitet, dokumente dhe merrte lejen. Shtëpinë do ta ndërtonte brenda vijës së verdhë, që ishte plani urbanistik i diktaturës. Brenda vijës së verdhë, nuk i paguante kujt, të jem i sinqertë me ju, askërkujt, asnjë gjë, përveç projektit, ndonjë inxhinier që mund të bënte”.
“Kurse sot, sot a e dini ju që është dhjetëfishuar, ua them me përgjegjësi të plotë, ryshfeti për një ndërtim, që kur e ka marrë Edi Rama në varësi dhe çdo ndërtim duhet të marrë firmën e tij. Çdo ndërtim”, tha Berisha.