Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar kundër një vendimi të kryeministrit Edi Rama për shpalljen e një shteti islamik në Shqipëri. Përmes një postimi në Facebook, Berisha e ka cilësuar këtë vendim si një tradhti ndaj besimit mysliman dhe një goditje të rëndë ndaj interesave kombëtare.
Berisha thekson se historia e klerikëve bektashinj dhe e patriotëve shqiptarë ka treguar gjithmonë përkushtimin e tyre ndaj sovranitetit dhe pavarësisë, dhe asnjëherë ndaj krijimit të principatave fetare.
Postimi i plotë:
Shpallja e shtetit islamik nga Edi Rama është thikë pas shpine ndaj besimit mysliman në Shqipëri dhe një akt madhor antikombëtar!
Klerikët patriotë bektashinj kanë luftuar për sovranitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe jo kurrë për principata fetare, sepse ishin atdhetarë të flaktë dhe jo trafikantë e tradhtarë antishqiptarë.
Me këtë akt antikushtetues, ky antishqiptar i damkosur kërkon të fusë në Shqipëri përçarje të thellë fetare, të përdorë territorin e Shqipërisë si pronë private të tij dhe grupeve antishqiptare që përfaqëson dhe të krijojë një epiqendër të trafiqeve kriminale ndërkombëtare.
Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe projektin e shtetit Islamik Bektashinj brenda territorit të Shqipërisë dhe garanton bektashinjtë shqiptarë dhe të gjitha komunitetet tona fetare se ajo, duke respektuar me rreptësi parimin e ndarjes së shtetit nga feja, do qëndrojë në krah të tyre e palëkundur në mbrojtje të harmonisë dhe tolerancës së shkëlqyer fetare të kombit tonë dhe nuk do njohë kurrë krijesa të tilla antikushtetuese e antishqiptare.