Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh sot gjatë një konference me gazetarët, se zgjedhjet e 11 majit ishin një farsë elektorale, duke paralajmëruar, sipas tij, fakte të reja.
Berisha tha se, Partia Demokratike nuk do ta njohë kurrë rezultatin e këtyre zgjedhjeve, të cilat i konsideroi si një farsë të mbështetur në krim dhe drogë.
“Deklaroj edhe njëherë se rezultati i këtyre zgjedhjeve të bazuara në krimin, drogën dhe farsën nuk do njihet kurrë. Denoncoj përsëri njoftimin që bëri paraprakisht klani Troplini për t’u larguar, njeriu që mbajti në xhep për 20 ditë, urdhër-arrestin ndërkombëtar të tyre, të firmosur nga gjykatësi dhe që pranoi të ndryshojë edhe mbiemrin dhe të quhet jo më Duman, por Troplin”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se raporti për farsën elektorale është në tërësi gati, shkeljet i janë dërguar institucioneve që vëzhguan zgjedhjet
“95 për qind e tij është dërguar pranë institucioneve që vëzhguan zgjedhjet. Pastaj kjo do kompletohet dhe do dërgohet si libër”, deklaroi Berisha.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me procesin e rinumërimit të votave, kreu i PD, theksoi se, kjo nuk është një kërkesë primare e PD-së, por një kërkesë e bërë nga kandidatët dhe e mbështetur nga partia.
Sipas Berishës, kjo është një nevojë e ngritur nga qytetarët dhe kandidatët për transparencë. Sipas tij, Partia Demokratike është e përqendruar në kontrollin e legjitimitetit të zgjedhjeve, të cilat i cilësoi si një farsë të shëmtuar dhe të parapërgatitur. Ai përmendi tre linja hetimi që, sipas tij, po ndjek PD: pamjet filmike që zbulojnë manipulime, mënyra e administrimit të qendrave të votimit dhe materialeve zgjedhore, si dhe shqyrtimi i kërkesave të kandidatëve opozitarë.
Gjatë konferencës, Berisha paralajmëroi publikimin e të tjera fakteve lidhur me zgjedhjet e 11 majit.
“Treni bullgar është mekanizëm universal. Dy janë mekanizmat me fletën e votimit, treni bullgar dhe ai që përdor Putini që shpërndan fletën e votimit para votimeve dhe ata vijnë me fletë në xhep dhe votojnë. Pastaj, mos harroni se nuk ka filluar akoma të flas laptopi”, tha Berisha.