Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se po dëmton rëndë turizmin në vend, duke iu referuar shembjes së një objekti në Vlorë nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.
“U ofron banorëve të Urikumit dhe turizmit që mund të jetë aty, pushuesve që mund të jenë aty, terrorin e 32 kilogramëve tritol, zhurmën në kulmin e turizmit. Këtë mund ta bëjë vetëm një njeri që quhet Ramaduro”, tha Berisha.
Ai e cilësoi gjithashtu aksionin për lirimin e hapësirave publike në Theth si një hakmarrje politike. “Thethi rrafshohet për herë të parë nga një armik i betuar i Thethit, i Shkodrës, i veriut, i Kosovës, që ka emrin Edi Rama”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha solli në vëmendje edhe çështjen McGonigal, duke akuzuar SPAK se po mbron Kryeministrin. “McGonigal u pagua nga zyrat e Edi Ramës për të kryer misionin e tij kundër opozitës. Altin Troplini, ky mercenar që s’ka ligj e as moral, mban në sirtar dosjen e McGonigal prej dy vitesh”, deklaroi ai. “Kam besim të plotë se FBI po e riheton rolin e McGonigal… Altin Troplini nuk do mund të fshehë kurrë aktivitetin kriminal të Edi Ramës dhe McGonigal në Shqipëri.”
Ai reagoi edhe për rrethimin nga policia dhe ndërprerjen e sinjalit të televizionit News24. “Nuk ka absolutisht asnjë bazë ligjore rrethimi, ndërprerja e sinjalit, këputja e kabujve të transmetimit që Edi Rama ka realizuar këto tre ditë ndaj këtij televizioni”, tha Berisha.