Kryedemokrati Sali Berisha ka siguruar fermerët se zhvillimi i infrastrukturës bujqësore është premtimi solemn i Partisë Demokratike në kohën kur ajo do të vijë pushtet.
Gjatë fjalës së tij nga tubimi i përnatshëm në ‘Rrugën e Shpresës’, Berisha iu garantoi fermerëve se do të kenë një financim prei 150-200 milionë eurosh çdo vit.
“Por unë jam sot këtu para jush për të garantuar fermerët shqiptarë se buxhetet e ardhshme, fermerët do të kenë një financim prej 150-200 milionë eurosh në vit.
Se do ketë mbështetje direkte për të gjithë sektorët, bujqësinë, blegtorinë, peshkimin, akuakulturën, akuaindustrinë mbi bazën e sipërfaqes, mbi bazën e prodhimit dhe numrit të krerëve.
Çdo fermer që aplikon mbështetje në fushat prioriare të përcaktuara nga qeveria.
Eksporti, blegtoria, pemëtaria, agropërpunimi do përfitojnë mbështetje nga shteti pa asnjë kufizim. Qeveria do subvencionojë normat e interesit të kredive bankare në fushën e bujqësisë në masën 80 përqind të tyre. Kjo ndërhyrje është emergjente për shpëtimin e bujqësisë shqiptare nga falimentimi i plotë.
Do subvencionohen skemat e e sigurimit të pronës në bujqësi, sigurimit të dëmtimeve nga fatkeqësitë natyrore. Ky subvencionim do jetë në masën 75 përqind të primit të sigurimit.
Zhvillimi i infrastrukturës bujqësore është premtimi ynë solemn. Çdo vit ujitja dhe kullimi do ketë investim prej të paktën 70 milionë euro. Brenda 4 viteve ne do dyfishojmë aftësitë ujitëse dhe kulluese në të gjithë sipërfaqen bujqësore.” u shpreh Berisha.