Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka ndarë kujtimet e tij për presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë promovimit të librit “Dr. Ibrahim Rugova, Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës”. Ai e ka cilësuar Rugovën si një nga figurat më të rëndësishme të historisë kombëtare dhe një lider që bëri zgjedhjen e veçantë të paqes për të bashkuar shqiptarët.
“Pasardhës i një familje atdhetare, Rugova zgjodhi jo pushkën, por gandizmin. Zgjedhje të cilën nuk e kishte bërë ndonjëherë ndonjë shqiptar në histori. Zgjedhje të cilën ndoshta në Ballkan, por edhe në Europë, nuk ishte regjistruar. Dhe me këtë zgjedhje, Ibrahim Rugova zgjodhi çelësin e artë për të hapur çdo derë”, tha Berisha.
Ish-kryeministri kujtoi edhe një episod të vitit 1992, kur pati një bisedë me kryeministrin grek, Konstandin Mitsotakis, dhe e prezantoi Rugovën si lider paqësor dhe përfaqësues të dy milionë shqiptarëve të Kosovës.
“‘Kërkesa ime ishte: të presësh Presidentin Ibrahim Rugova. Po pse ta pres më tha. Ta presësh i thash, sepse ai është themeluesi i partisë së parë anti-komuniste në Ballkan’”, theksoi Berisha.
Berisha tha se, “Rugova arriti të krijojë një unitetit që Kosova kurrë nuk e ka pasur. Dhe ky ishte një unitet në projektin e tij, në projektin e pavarësisë së Kosovës, Kosovës së lirë dhe të pavarur. Rugova, në këtë projekt, kaloi nga një kancelari në një tjetër, nga një institucion në një tjetër, por me civilitetin dhe gandizmin e tij, ai do vlerësohej nga Parlamenti Europian me çmimin e madh të Saharov. Kjo ishte një mbështetje e jashtëzakonshme për popullin e Kosovës dhe personalitetin e Ibrahim Rugovës”.
“Një njeri i civilizuar me një kulturë të gjerë, që fliste shumë më pak për politikë se sa për universin kulturor. Ibrahim Rugova bënte për vete të gjithë bashkëbiseduesit, përveçse tek politikanët që nuk binin dakord me projektin e pavarësisë së Kosovës, çka për atë nuk përbënte asnjë lloj obligimi për t’u tërhequr, sepse e ka përshkruar në mënyrën më të shkëlqyer Madlen Ollbrajt, kur thotë se Dhomën Ovale, i thotë presidenti Klinton, që donte ta ndihmonte: Ibrahim, tani atë pavarësinë e kam të pamundur, por kërko diçka tjetër dhe unë jam i gatshëm ta realizoj. Ibrahimi rri, mendon dhe mendon dhe thotë: president, vetëm pavarësia zgjidh problemin. Klintoni qeshi”, rrëfeu Berisha.