Pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, është mbledhur sot Kuvendi për të zhvilluar seancën plenare. Në fjalën e tij në seancë kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u ndal sërish te denoncimi i opozitës për “farsën elektorale”.
Berisha tha se “krimi futi në parlament 28 deputetë”. Ai theksoi se “seanca mblidhet pas farsës elektorale më të turpshme, që pas rënies së Perdes së Hekurt në Europën ish-komuniste”.
Sipas Berishës “është zhvilluar farsa zgjedhore më kriminale që ka njohur ndonjëherë historia e vendit”.
“Ju mblidheni këtu pasi klanet e vrasësve, drogës, kartelet e drogës, sjellin në këtë parlament 28 deputetë në lista të mbyllura dhe të hapura. Ju mblidheni sot këtu në një kohë kur votën e parë të diasporës shqiptare e manipuluat në mënyrën më të egër”, tha Berisha.
Berisha shtoi pas përfundimit të seancës se “parlamenti nuk respekton asnjë rregull as të rregullores, as të Kushtetutës, as ligjet”.
“Kjo ndodh kur parlamenti shndërrohet në një bodrum të mafies. Parlamenti nuk respekton asnjë rregull as të rregullores, as Kushtetutën, as ligjet. Parlamenti përdoret si një dyqan privat i partisë së krimit dhe kjo ishte një seance nga më të turpshmet ku pas një farse elektorale të paprecedent, në vend që qytetarët të dëgjonin të gjithë faktet, argumentet e opozitës për atë çfarë ndodhi më 11 maj, këta ia mbathin brenda disa minutash. Megjithatë, ajo që duhet të garantoj shqiptarët, vendosmërinë e palëkundur të opozitës të mbrojë kauzën e drejtë të tyre për votën e lirë”, u shpreh Berisha.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me strategjinë e opozitës, Berisha tha se “strategjia e opozitës është përfaqësimi i kauzës së drejtë të shqiptarëve për votën e lirë”.
“Ka vetëm një strategji, ka vetëm një objektiv, rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve në kushtet e një narkoshteti të dominuar tërësisht nga kartelet më të fuqishme në Europë”, u shpreh Berisha.