Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, në dhjetëra zona situata e zjarreve është jashtë kontrollit.
Në një konferencë për shtyp, Berisha tha se, “në të katër anët e vendit u panë tmerre nga flakët dhe zjarret e papërmbajtura, në të cilat u dogjën mijëra hektarë pyje, kullota, dru frutorë. Me dhjetëra shtëpi, gjë e gjallë. Humbën jetën njerëz, u plagosën, u dogjën me djegie të shkallëve të ndryshme, një seri qytetarësh”.
“Shqipëria nuk ka qenë ndonjëherë në flakë si dy ditët e fundit. Por kjo gjendje emergjence kombëtare i gjen qytetarët shqiptarë nga jugu në veri, pothuajse tërësisht të braktisur nga narkoshteti”, tha kreu i PD.
Sipas tij, “Delvina është e rrethuar nga flakët, fshatrat e Fushë Arrëzit gjithashtu”.
Në Gramsh, theksoi Berisha, “vazhdon shkatërrimi dhe djegia e gjësë së gjallë”.
“Në dhjetëra zona është një situatë tërësisht jashtë kontrollit”, tha ai, teksa shtoi se, “në qoftë se ka një situatë që quhet emergjencë kombëtare, për çdo shqiptar përveç se narkoqeveritarët, kjo është një emergjencë kombëtare”.
“Në vend të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, këshilli vazhdon ahengjet nëpër festa të bashkive lokale”, u shpreh Berisha.
Berisha shtoi se, “natyrisht temperaturat e larta janë terreni i kësaj që po ndodh dhe shpirti kriminal i individëve të caktuar që luajnë me zjarrin është ai që inicion, ndez zjarrin dhe ata meritojnë dënimin më të madh”.