Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim me bizneset në Tregun Artizanal të Krujës.
Gjatë këtij takimit, Berisha prezantoi edhe programin e qeverisjes së koalicionit PD-Shqipëria Madhështore. I shoqëruar nga kandidatët për deputetë, Berisha tha se në Krujë nuk janë kryer investime prej vitesh.
Sipas Berishës, Kruja është zhveshur nga të gjitha institucionet.
“Cilido që do të shohë përqendrimin më absolut të pushteteve, le të vijë në Krujë. Kryeqytet krenar, i pavdekshëm i kombit shqiptar, e kanë zhveshur nga të gjitha institucionet. 12 vite, zero investime, përveç betonit. Rruga, ashtu siç ka qenë ka mbetur. Të gjitha institucionet ia kanë hequr Krujës”.
Berisha shtoi se “një rrugë, e premtuar dhe me projekt të gatshëm, ecën sa për të mos mbaruar ndonjëherë”.
Berisha premtoi se “çmimin e energjisë do ta ulim, do ta zbresim nga 18 në 6 lekë. Çmimin e ujit do ta përgjysmojmë. Bashkisë do t’ia vëmë “kufirin tek thana”, nuk do mund të vërë taksa sipas qejfit, por kurrë më shumë sesa 1 për qind të xhiros”.
Berisha shtoi se do të “bëjmë gjithçka të promovojmë sa më shumë prodhimin vendas, por duke krijuar klimën më miqësore ndaj biznesit”.