Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar dje ndaj vendimit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të shtyrë për një vit fuqinë e një urdhri ekzekutiv që ka të bëjë me gjendjen emergjente kombëtare në Ballkanin Perëndimor.
“Tre ditë para, kryeministri i Shqipërisë, nga media kryesore numër një e SHBA dhe e botës, u damkos Ramaduro. Tjetër, tre javë më parë, një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë solli këtu mesazhin e Ministrisë së Drejtësisë së SHBA me të cilin kërkon që Shqipëria të merret me kartelet e saj të drogës. Po për kë bien këto kambana? Pra, si të mos e shpallë atë presidenti Trump, Ballkanin një zonë të rrezikshme. Kjo është arsyeja. Kartelet po, Ramaduro po, janë të gjitha së bashku”, tha Berisha.
Berisha komentoi edhe emërimin e anëtarit të kryesisë së PD-së, Genc Deromemaj në krye të Kadastrës së Vlorës, duke sqaruar se 10 ditë më parë zoti Deromemaj e ka njoftuar që do të largohej nga Partia Demokratike.
“Kjo është një zgjedhje e tij dhe unë personalisht e kam thënë dhe e përsëris prapë, thelbin e lirisë e konsideroj të drejtën e zgjedhjes së njeriut. Ai ka bërë një zgjedhje, ka marrë një funksion, ka marrë një post, të cilin një demokrat nuk e merrte kurrë, por zgjedhja është e tij”, tha Berisha.