Kryetari i Partisë Demoratike, Sali Berisha, këtë të shtunë është ndalur në Peqin. Gjatë prezantimit të kandidatëve të ‘PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore’, në këtë qytet, lideri i opozitës tha se pavarësisht se Peqini ka pasuri të pafundme, toka pjellore dhe njerëz punëtorë, largimet kanë qenë masive, pasi sipas tij qeveria aktuale ka ngritur para tyre mure papunësie dhe varfërie.
Berisha: Në këtë mënyrë, në mënyrë të heshtur dhe haptas, prindërit u thonë fëmijëve të tyre, ndiq fatin, ndiq rrugët e botës se këtu nuk mjafton. E vërteta është se ky Peqin, kjo Shqipëri është bërë e pajetueshme. Është bërë e pajetueshme sepse pensionistët, që kanë shkrirë jetën e tyre, sot trajtohen në mënyrën më të pashpirt, sot trajtohen me një pension mesatar 172 euro, i cili para 12 vitesh ishte 143 euro. Me një pension që sot krahasuar me 13 vite më parë, blen 2 herë e gjysmë më pak. Me një pension që për të blerë sa blihej në vitin 2013, duhej të ishte 390 mijë lekë.
Berisha tha se fermerët nuk kanë mbështetje, duke i krahasur ata me fermerët e vendeve të rajonit.
Berisha: Kurse fermerët kanë tokat nga më të mrekullueshmet, por problemi është se kanë mbështetje mizerabël dhe nuk konkurrojnë dot me fermerët e Maqedonisë, Kosovës apo Serbisë, sepse ata marrin mbështetje pesë herë më shumë se fermerët e Peqinit. Prodhimet tuaja të mbeten në ara, të hidhen në lumë ose toka të mbetet djerrë. 80 përqind e të gjitha frutave dhe zarzavateve që shiten në dyqanet tona janë importi, ndërkohë që Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm sa asnjë vend tjetër.
Kreu i PD-së premtoi se programi që ka opozita do t’i kthejë paratë qytetarëve shqiptarë.
Berisha: Ky program vendos t’u kthejë paratë qytetarëve shqiptarë. Çdo pensionisti i kërkoj njerëzisht vetëm një gjë. T’i shtrojë vetes pyetjen: si ka mundësi që pensionisti malazez, që në vitin 2013 merrte 138 mijë lekë pension mesatar, sot merr 450 mijë lekë. Pse, çfarë ndodhi? Plasi nafta apo floriri në Mal të Zi. Jo mo jo. Mali i Zi është një territor i vogël, por pasuri përrallore si Shqipëria nuk ka asnjë vend tjetër. Çfarë ndodhi me pensionistin malazez? Ndodhi ajo që qeveria e Malit të Zi, e zgjedhur nga qytetarët e saj, kthen paratë e taksave tek qytetarët. Taksat që ua merr, ua kthen atyre në rroga dhe pensione.
U ndal edhe te vendosja e minimumit jetik prej 200 eurosh.
Berisha: Edi Rama solli këtë vit buxhetin 8 miliardë euro. Kishte lënë gjithsej për pensionistët 16 milionë euro. Për 760 mijë burra dhe gra vetëm 16 milionë euro. Kur ne kërkuam të vendosim minimumin jetik 200 euro, kjo, tha ai, na çon në humnerë. Po rrogat e larta si u bënë në Shqipëri? Sot zyrtarët shqiptarë marrin rrogat më të larta në Ballkan. Sot diferenca mes rrogës minimale dhe rrogës më të lartë është 14-15 herë, sa asnjë vend tjetër në planet.
Berisha kërkoi nga qytetarët e Peqinit që më 11 maj të votojnë PD, pasi sipas tij do të sjellë ndryshimin.
Berisha: Ndaj dhe jam sot këtu për të kërkuar nga të gjithë ju, nga të gjithë qytetarët e Peqinit, të gjithë fermerët e Peqinit, të bashkohemi për të votuar ndryshimin. Me votën tonë ne mund të bëjmë jo një ndryshim, por një ndryshim epokal.
Nëse vjen në pushtet më 11 maj, Berisha premtoi se në 100 ditët e para të qeverisjes do të rrisë pensionet dhe rrogën minimale e mesatare.
Berisha: Sepse në 100 ditët e para u siguroj se nuk do ketë pensionist me pension nën 200 euro. Dhe sot me pension nën 172 euro janë 57 përqind e të gjithë pensionistëve. U siguroj se me 11 Maj, me votën tuaj, ju bëni një ndryshim epokal sepse pas 11 Majit në 100 ditët e para nuk do të ketë rrogëtar me rrogë më të ulët se 500 euro në Shqipëri. Dhe se rroga mesatare do jetë 1250 euro. Nuk do ketë mësues me rrogë nën 1500 euro.