string(61) "berisha-kerkon-voten-e-shkodraneve-mos-mbeshtesni-tom-pazarin"

Shqiperi

Gazeta Express

09/05/2025 8:33

Berisha kërkon votën e shkodranëve: Mos mbështesni Tom Pazarin

Shqiperi

Gazeta Express

09/05/2025 8:33

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbylli fushatën elektorale në Shkodër, qarkun e njohur si bastion i së djathtës.

Mitingu në Shkodër u zhvillua pak orë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi për një gazetar amerikan se Berisha mund të udhëtojë në SHBA, dhe lideri i opozitës shfrytëzoi këtë lajm për të falënderuar shkodranët të cilët e mbështetën dhe i dhanë atij fitoren e parë elektorale më 6 marsin e vitit 2022.

“E vërteta triumfoi. Ndaj dhe një mirënjohje të pakufishme për presidentin Trump që i preu kokën gjarprit Soros në Uashington. Por një mirënjohje të thellë për të gjithë ju që qëndruat, nuk u mposhtët dhe votuat PD edhe në kohërat më të vështira”, tha Berisha.

Berisha ftoi shkodranët që, para se të votojnë, të mendojnë për jetën e tyre në 12 vitet e qeverisjes së PS. Sipas Berishës, këto vite sollën largimin e 1 milion shqiptarëve, varfërimin e qytetarëve dhe vetëm PD mund ta bëjë të nesërmen më të mirë.

“Do të vendosim minimumin jetik 200 euro. Do të vendosim rrogën minimale 500 euro. Do të vendosim kartën e konsumatorit ku ata që marrin rroga të ulëta dhe pensione do të kenë 20 përqind më lirë ushqimet”, u shpreh ai.

Tre ditë para zgjedhjeve, kryetari i PD u bëri apel shkodranëve të mos votojnë Tom Doshin.

“Qytetarë të mençur të Shkodrës, u bëj thirrje, asnjë votë për Tom Pazarin. Asnjë votë. Vota për Tomën është e tëra votë për Edi Ramën. Toma është skllavi i Edi Ramës”, tha kryetari i PD.

Në krahun e Berishës në Shkodër ishte edhe strategu i fushatës elektorale të presidentit amerikan Trump, Chris LaCivita.

“Ju ishit të parët që rrëzuat monumentin e një prej vrasësve më të mëdhenj të historisë, Joseph Stalin. Tani ka ardhur koha të rrëzoni një tjetër monument të dështuar, Edi Ramën. Rrëzoni korrupsionin! Rrëzoni dështimin ekonomik! Rrëzoni varfërinë!”, u shpreh Chris LaCivita.

Pas Shkodrës, Berisha mbylli fushatën elektorale edhe në Lezhë.