Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, PD ka diskutuar me aleatët për modelin e kandidatit që do të mbështesë në zgjedhjet për bashkinë e Tiranës.
Berisha u shpreh në një konferencë për shtyp se, emrat që kanë dalë në media janë emra shumë të mirë.
“Janë personalitete me vlera qytetare dhe morale të pakrahasueshme”, tha ai.
“Partia Demokratike, siç unë kam shpjeguar këtu para jush, gjatë këtyre kohëve është marrë me modelin, jo me emrat. Me aleatët tanë ne kemi diskutuar për modelin që do ndjekim. Domethënë, do të jetë ky një kandidaturë politike e PD apo nuk do të jetë? Do të jetë ky një kandidaturë politike e koalicionit apo nuk do të jetë? Do të jetë ky një kandidaturë e pavarur që do e mbështesin të gjitha partitë e koalicionit apo nuk do jetë?”, tha Berisha.
Berisha tha se, PD ka alternativa të pakrahasueshme me kandidaten e Partisë Socialiste Ogerta Manastirliun.
Ai gjithashtu shtoi se PD nuk tërhiqet nga gara.
Berisha u shpreh i gatshëm të mbështesë modelin që pranohet më gjerësisht nga opozita.
“Kudo Partia Demokratike i ka kandidatët e gatshëm. I ka. Kjo është forca politike kryesore e vendit. Po merren strukturat, por merren me këtë dhe PD do të paraqesë kandidatët më të mirë”, tha më tej Berisha.
Lidhur me dekretin e Presidentit Bajram Begaj, Berisha tha se “Shqipëria nuk ka president, ka një skllav të krimit që fshihet prapa gishtit dhe që më thanë se u fsheh prapa Rusmalit”.
Ai shtoi se në të drejtën kushtetuese, ose në parimësi, njeriu më përgjegjës për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është presidenti i Republikës.
Berisha nënvizoi se PD nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet për gjashtë bashkitë e vendit.
“Ne jemi në kushtet e një regjimi autoritar, ne jemi kushtet e një diktature autoritare, në të cilat ligji dhe Kushtetuta janë një letër e vdekur. Por duhet të jemi shumë të hapur, ose duhet të vazhdojmë betejën në këtë hapësirë që kemi, ose duhet të largohemi nga kjo hapësirë dhe të kalojmë me metoda të tjera. Por ne jemi forcë demokratike, ndaj dhe ne qëndrojmë edhe në këtë hapësirë të kufizuar që Edi Rama e ngushton në mënyrën më të turpshme”, deklaroi ai.
Kreu i PD-së tha se “akti më i thjeshtë është bojkoti. Akti më i vështirë është vazhdimi i betejës në atë hapësirë që kemi. Ne këtë do bëjmë. Edi Rama do festonte nëse do bojkotonim, por ne nuk do t’ia japim atë kënaqësi atij. Ne do ta luftojmë atë çdo orë, çdo ditë, kudo që të jetë”.