PD do të punojë për të ulur taksat dhe për të çliruar qytetarët dhe bizneset nga barra e shtetit, kështu kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë shpalosjes së programit ekonomik të PD për vitet 2025-2029.
“Ne do të çlirojmë qytetarët shqiptarë dhe bizneset nga barra e tmerrshme e taksave. Nga dora e zezë e shtetit e cila shtrihet në çdo proces dhe në çdo at të veprimtarisë së tyre, që si e si t’i grabisë, t’i plaçkisë dhe t’i shtypë”, tha Berisha.
Berisha akuzoi qeverinë aktuale për rritjen e varfërisë dhe çmimet e larta, dhe theksoi se ekonomia e Shqipërisë po dëmtohet nga korrupsioni dhe oligarkët. Berisha tha se PD do të garantojë lirinë ekonomike, konkurrencën e ndershme dhe një sistem të drejtësisë funksional.
“Shqipëria ka rritje ekonomike, ndërkohë varfëria thellohet, ndërkohë konsumi nuk rritet në paralel me rritjen. Ndërkohë, çmimet shkojnë në stratosferë, rrogat zbresin në raport me to në mënyrë progresive”, tha Berisha.
Kryedemokrati tha se Shqipëria është në një situatë emergjente dhe do të prezantojë një paketë 100 ditëshe që do të ketë një efekt transformues për qytetarët dhe bizneset.
“Ne do përgatisim paketën 100 ditëshe, e cila do ketë një efekt çlirues, transformues në jetën e të gjithë shqiptarëve në nevojë. Do ketë një efekt jashtëzakonisht të rëndësishëm, transformues të të gjithë bizneseve, tek të gjithë fermerët”, tha Berisha.
“Lufta kundër informalitetit do fillojë nga shteti. Natyrisht, ne jemi qeveri e vogël. Ne jemi konservatorë, qëndrojmë qeveri e vogel. Shqipëria është në emergjencë dhe ne do i përgjigjemi asaj me emergjencë”, u shpreh Berisha.