Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës detyrim paraqitje për dosjen “Partizani”.
Në një prononcim për mediet pas paraqitjes në SPAK, Berisha tha se institucioni që supozohet të luftojë krimin e organizuar po funksionon, sipas tij, si “aleat” i krimit.
Berisha akuzoi kreun e SPAK, Altin Dumani për mbështetje të aktivitetit kriminal brenda dhe jashtë territorit shqiptar.
Po ashtu, Berisha komentoi edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama mbi vendimet e marra nga gjyqtari Hazbi Balliu dhe prokurorja e Shkodrës Elsa Gjeli.
“Rama sulmoi me egërsinë më të madhe një prokurore me mbiemrin Gjeli, e cila në mënyrë absolute kishte zbatuar pikë për pikë atë që kërkohej në raportin e policisë së Shkodrës. Më pas i është vërsulur edhe një gjyqtari të ri, Balliu, që ka zbatuar vendimin e qeverisë për të njohur të drejtën e parablerjes për disa qytetarë. Rama kërkon që njëherë gjykatësi ta zbatojë ligjin, e herën tjetër të mos e zbatojë, sipas interesit të tij”, shtoi ai.
Sipas Berishës, as Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe as Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk kanë reaguar për të mbrojtur prokuroren dhe gjyqtarin, megjithëse vepruan në përputhje me ligjin.
Berisha akuzoi gjithashtu KLGJ-në për mbrojtjen e gjyqtares Irena Gjoka, e cila sipas tij është e përfshirë në tri vepra penale dhe e dënuar me burg nga një gjykatë greke për deklarim të rremë pasurie dhe mashtrim gjatë procesit të vetting-ut.
Berisha e cilësoi rastin si “një mashtrim”, ndërsa u shpreh se “Gjoka justifikoi një pasuri të marrë si hua në vitin 1996 duke iu referuar nenit 830 të Kodit Civil, i cili hyri në fuqi vetëm në 2015”.
Po ashtu, Berisha tha se “pas largimit të PD nga parlamenti, kreu i qeverisë miratoi një ligj antikushtetues që autorizon SPAK të regjistrojë telefonat e gjykatësve”.
“De facto ata tre gjykatës, dhe jo vetëm ata, por të gjithë gjykatësit e gjykatës speciale në të dy nivelet, janë në kontrollin e plotë të Altin Troplinit. Kjo është e gjithë puna dhe kjo nuk ndodh në botë”, theksoi kryetari i PD-së.