Berisha: Ambasadori i BE po përpiqet të imponojë standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore - Gazeta Express
string(95) "berisha-ambasadori-i-be-po-perpiqet-te-imponoje-standarde-te-perkatesise-se-shumefishte-gjinore"

Shqiperi

Gazeta Express

06/11/2025 13:45

Berisha: Ambasadori i BE po përpiqet të imponojë standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore

Shqiperi

Gazeta Express

06/11/2025 13:45

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke folur për projektligjin për barazinë gjinore, tha sot se në asnjë nen të direktivës evropiane nuk bëhet fjalë për përkatësi të shumëfishtë gjinore, as për identitete gjinore me spektër të gjerë.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i PD-së teksa iu referua një gazetari sipas të cilit ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato “ka kërkuar votimin e ligjit”, Berisha sfidoi këtë të fundit duke i kërkuar që “t’u thotë shqiptarëve se cila direktivë e BE-së flet për përkatësi të shumëfishtë gjinore”.

“I kërkoj të nderuarit ambasador të nxjerrë cila direktivë e BE e kërkon një gjë të tillë. T’u thotë shqiptarëve, se direktivat janë aty. Sepse ky ligj, është hedhur poshtë në 21 vende anëtare të BE. Sepse ky ligj, është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në vitin 2016”, tha Berisha.

Berisha më herët gjatë prononcimit jashtë Kuvendit apeloi ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato t’u thotë shqiptarëve se cila direktivë e BE bën fjalë për përkatësi të shumëfishtë gjinore.

“Ambasadorit të BE i them kaq, zotëri ne absolutisht respektojmë orientimin seksual të gjithsecilit, por përpjekjet tua për t’i imponuar shoqërisë shqiptare standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, të gjinisë në diversitet të gjerë, përveç asaj binare, dhe i them këtu, edhe në statusin tënd je binar”, u shpreh Berisha.

“Nuk merremi ne me trajtimin, ka fëmijë, ka pasur grua, ka marrë vendimet e tij më pas, siç e ka shpjeguar, se nuk dua të merrem me jetën e tij personale fare. Kështu që ligji nuk ka asgjë të përbashkët. Le t’u thotë shqiptarëve se cila direktivë e BE bën fjalë për përkatësi të shumëfishtë gjinore”, përfundoi Berisha.

Sipas Berishës, ky ligj, de facto, u mohon prindërve të drejtën e edukimit të fëmijëve të tyre bazuar në dhuntinë që u ka dhënë Zoti, vajzë apo djalë apo natyra për ata që nuk besojnë Zotin.

“Sepse ky ligj, gjobit udhëheqësit fetarë, shpirtërore, në qoftë se ata besimtarëve do u parashtrojnë mësimet e Kuranit, Biblës, Talmudit. Sepse ky ligj, de facto, në shoqërinë post-marksiste godet familjen, godet identitetin familjar të bazuar në bizaritetin biologjik”, shtoi Berisha.

Kreu i PD-së shtoi “nuk ka asnjë lidhje me direktivat evropiane. Dhe ata që e paraqesin, u kërkoj njerëzisht të na thonë ku është direktiva, ku shkruhet në dokumentet e BE për përkatësinë e shumëfishtë gjinore apo për gjini me diversitet të gjerë. Në cilin dokument është e shkruar kjo? Në asnjë. Duan të marrin rastin e veçantë, t’ia imponojnë shoqërisë”.