ryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu rikthye sërish sot zgjedhjeve të 11 majit dhe asaj që ai e cilëson si farsë elektorale.
Berisha deklaroi në një konferencë për shtyp se në çdo shoqëri, zgjedhjet që zhvillohen në prani të partisë shtet, sikur të hiqen të gjithë faktorët e tjerë, janë farsë.
“Farsë dhe vetëm farsë sepse ato shënojnë vendosjen e një pabarazie ekstreme në fushën e betejës, përdorimin e të gjitha resurseve shtetërore nga partia shtet në garën elektorale”, tha Berisha.
“Sistemi i patronazhimit, i denoncuar në mënyrë të hapur, të përsëritur nga vëzhguesit ndërkombëtare, vjen në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ndarjen e pushteteve. Vjen në kundërshtim me kodin elektoral dhe ligjet e tjera të vendit. Vjen në kundërshtim flagrant me Kartën e Kopenhagenit për zgjedhjet e lira, direktivat e KiE, Kodin e Venecias”, tha Berisha.
“Sistemi i patronazhimit nënkupton përdorimin nga partia shtet të të gjitha resurseve njerëzore që me ligj dhe Kushtetutë që duhet të jenë neutrale në zgjedhje, pra shndërrimin e institucioneve shtetërore në institucione elektorale dhe punonjësve të këtyre institucioneve në operatorë elektoralë”, shtoi kreu i PD.