Beogradi përfshihet nga smogu, banorët kërkojnë masa - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

18/01/2020 9:43

Beogradi përfshihet nga smogu, banorët kërkojnë masa

Lajme

Gazeta Express

18/01/2020 9:43

Qindra protestues dolën të premten në rrugët e Beogradit për të kërkuar mbrojtje të ajrit nga qeveria serbe për shkak të smogut dhe ndotjes së ajrit që e ka përfshirë tërë vendin.

Shumë prej protestuesve kishin vendosur maska gjatë marshimit nëpër qendrën e kryeqytetit të Serbisë.

Përpos këtij shteti, edhe Kosova, Maqedonia Veriore dhe Bosnja e Hercegovina po përballen me problemin e smogut dhe nivelin e lartë të ndotjes së ajrit. Ato madje po krahasohen me qytetet me ajrin më të ndotur në botë, si New Delhi, Kalkuta dhe Pekini.

“Jemi të zemëruar me mënyrën se si qeveria është duke u marrë me këtë problem. Ne e thithim të njëjtin ajër, s’ka rëndësi a je anëtar i partisë në pushtet apo njëri nga njerëzit e mbledhur këtu, prandaj të bëjmë diçka për ta rregulluar këtë”, tha udhëheqësi i kësaj proteste, Radomir Lazoviq.

Ekspertët thonë se burim i ndotjes së ajrit në Serbi janë termocentralet e vjetra që funksionojnë me thëngjill, ndërsa çmimi i gazit është i paarritshëm për një pjesë të madhe të popullsisë.

Megjithatë, qeveria duket se po mundohet ta nënvlerësojë gjendjen. “Situata nuk është më e keqe se në të kaluarën. Është më e rëndë në disa qytetet për shkak të mjegullës dhe motit, sepse nuk ka pasur borë dhe erë”, tha kryeministrja serbe, Ana Bernabiq, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.