Në Beograd, gjatë natës së të martës, janë shkatërruar dhe përdhosur më shumë se 30 varre në parcelën islame të varrezave “Leshce”, raportojnë mediat lokale.
Sipas Telegrafit serb, vandalët kanë dëmtuar rëndë pllakat prej mermeri, veçanërisht në pjesën ku ndodhet simboli i hënës dhe yllit – shenjë dalluese e identitetit mysliman. Janë thyer edhe fotografitë e të ndjerëve, të cilat janë shpërndarë në mënyrë të çrregullt nëpër varreza.
Siç bëhet e ditur, dëmet më të mëdha janë shkaktuar në pjesën e varrezave që ndodhet pranë rrethojës së zonës myslimane.
Ky akt është dënuar fuqishëm nga Muftiu i Beogradit, Mustafa Jusufspahiq, i cili e ka cilësuar këtë sulm jo vetëm si një akt kundër komunitetit mysliman, por edhe si një goditje ndaj vetë themeleve të qytetërimit njerëzor dhe respektit për të vdekurit.
“Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjet që janë prekur nga ky akt çnjerëzor. Ndjenjat tona janë thellësisht të lënduara, shpirtrat tanë të mbushur me trishtim kur shohim se varret – simbole të trashëgimisë sonë kulturore dhe shpirtërore – janë përdhosur në këtë mënyrë,” – deklaroi muftiu Jusufspahiq.
Ai shtoi se një akt i tillë nuk mund të kalojë pa një reagim të duhur dhe të vendosur nga autoritetet dhe shoqëria.
Autoritetet përkatëse ende nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare lidhur me identitetin e autorëve apo motivet pas këtij akti vandalizmi.