Karim Benzema ka dhënë mesazhin e tij të parë si lojtar i Al Hilal, duke theksuar qartë ambicien për të fituar titullin e dytë radhazi në Ligën Profesionale Saudite (RSL) pas transferimit nga Al Ittihad.
Sulmuesi francez, i shpallur Lojtari i Sezonit në RSL, ka nënshkruar kontratë njëvjeçare e gjysmë me liderin aktual të kampionatit dhe në intervistën e tij të parë për kanalet zyrtare të klubit deklaroi se synimi kryesor janë trofetë.
“Mesazhi është i qartë. Ju e dini mentalitetin tim, kam shumë ambicie. Do të punoj dhe do të jap gjithçka në fushë për ta ndihmuar ekipin. Për mua, trofetë janë gjëja më e rëndësishme,” u shpreh Benzema.
Al Hilal aktualisht kryeson renditjen pas javës së 20-të, me një pikë më shumë se Al Nassr, ndërsa titullin e fundit e fitoi në sezonin historik 2023/24.
Benzema, i cili sezonin e kaluar fitoi kampionatin dhe Kupën e Mbretit me Al Ittihad, shprehu kënaqësinë për ambientimin e shpejtë te skuadra e re. “Kam ndjenja shumë të mira. Jam i lumtur që jam pjesë e këtij klubi me histori të madhe. Al Hilal është si Real Madridi i Azisë,” theksoi ai.
Gjatë aventurës së tij në Arabinë Saudite, Benzema ka zhvilluar 64 ndeshje në RSL, duke shënuar 38 gola, ndërsa vetëm sezonin e kaluar realizoi 21 gola, duke u renditur i treti në garën për ‘Këpucën e Artë’.
Al Hilal do të rikthehet në aksion të enjten, kur përballet me Al Okhdood, ndërsa Benzema ka kujtime të mira nga ky kundërshtar, pasi në vizitën e fundit në Najran kishte realizuar hat-trick. /GazetaExpress