Benjamin Sesko e përfundoi transferimin e tij të madh në Manchester United këtë fundjavë dhe u prezantua para ndeshjes përgatitore ndaj Fiorentinës.
Sulmuesi i ri ka emëruar tre sulmuesit e mëparshëm të Man United që i admirojnë, ku “idoli” i tij është Zlatan Ibrahimovic, të cilin ai shpreson ta imitojë.
Sulmuesi i ri ishte i kërkuar edhe nga Newcastle dhe më parë ishte objektiv i Arsenalit, por në fund siguroi kalimin te gjiganti i Premier League. Edhe pse United kishte sezonin më të dobët në Premier League dhe mungesën e garave europiane, klubi ka treguar se mund të tërheqë lojtarët më të mirë drejt Manchesterit.
Matheus Cunha zgjodhi të largohet nga Wolves për në Old Trafford, ndërsa Bryan Mbeumo ishte i vendosur që do të largohej nga Brentford vetëm për te United, pavarësisht raportimeve që mund të ndiqte Thomas Frankun te Tottenham.
Sesko është sulmuesi më i ri i madh që i është bashkuar skuadrës nga Old Trafford, duke u transferuar atje për 73.62 milionë funte të shtunën. Megjithëse 22-vjeçari nuk mori pjesë në barazimin 1-1 ndaj Fiorentinës, ai u prezantua para fillimit të ndeshjes dhe pritet të bëjë debutimin ndaj Arsenalit këtë fundjavë.
Gunners do të udhëtojnë në Manchester për ndeshjen hapëse të sezonit të dielën dhe do të përpiqen të shmangin humbjen e thellë 8-2 që pësuan në 2011 në një ndeshje të ngjashme në gusht.
Kur Sesko u pyet nga mediat e klubit se cilin sulmues të mëparshëm të United e admironte më shumë, ai theksoi “idolin” e tij Zlatan Ibrahimovic.
Sulmuesi suedez kaloi dy vite në Old Trafford nën drejtimin e Jose Mourinhos, duke fituar Europa League, EFL Cup dhe Community Shield para se të largohej për LA Galaxy në 2018.
Për Ibrahimovic, Sesko tha për mediat e United:
“Që nga vogëlia kam qenë duke e ndjekur, çdo video në YouTube që mund të gjej, sepse për mua ai është i jashtëzakonshëm. Nuk kemi të njëjtin karakter, por më pëlqen mënyra se si luan dhe si shijon futbollin. Nëse e shijon futbollin, atëherë gjithçka funksionon. Është një ëndërr për mua që një ditë ta takoj, do të ishte fantastike. Në përgjithësi, ai është idoli im. Kam tentuar të marr disa gjëra prej tij, veçanërisht disa ngjashmëri me goditjet e larta dhe fuqinë. Nuk jemi të njëjtë, kemi stile loje të ndryshme, por në çdo situatë përpiqem të bëj si ai.”
Ibrahimovic konsiderohet nga shumë si sulmuesi i fundit “elitar” që ka pasur United, duke pasur parasysh që Rasmus Hojlund dhe Joshua Zirkzee nuk kanë arritur të përmbushin pritshmëritë.
Ibrahimovic gjithashtu kishte shumë i vetëbesim në aftësitë e tij, dhe duket se United ka nevojë për këtë tip karakteri në dhomat e zhveshjes për të përmirësuar një sezon zhgënjyes.
Përveç Ibrës, Sesko përmendi edhe Wayne Rooney dhe Robin van Persie, pjesë të skuadrës së fundit kampione të United në 2013.
“Për mua janë Van Persie, Rooney, të tillë lojtarë,” shtoi sulmuesi slloven.
“I kam ndjekur në video. Kanë qenë të shkëlqyer. I admiroj shumë dhe dua të tregoj veten në dritë të mirë këtu, të ndihmoj skuadrën dhe klubin të jetë sa më lart.”
Sesko përfundoi sezonin e kaluar me 13 gola në ligë dhe shpreson të luajë një rol kyç në formacionin 3-4-2-1 të Amorimit në sezonin e tij të parë të plotë te United.
Dhe sulmuesi i ri do të donte më shumë se gjithçka të imitojë Ibrahimovic duke rikthyer Unitedin drejt trofeve dhe futbollit europian. /GazetaExpress/