Futbollistët e Kombëtares së Kosovës janë të motivuar më shumë se kurrë sonte për ta shkruar historinë.
Ata janë veç 90 minuta larg kualifikimit në Kampionat Botëror.
E përpos motivit shpirtëror që e kanë për tokën e tyre, ata po motivohen sadopak edhe në aspektin financiar.
Për kualifikim eventual në Botëror, Qeveria e Kosovës i ka ofruar 1 milion euro për ekipin.

E ndërkohë, kompania “Beni Dona” ka dalë sot me një propozim mjaft interesant.
Kjo kompani kosovare ka njoftuar se do ta ndajë një shpërblim për futbollistin e Kosovës që do ta shënojë golin e parë ndaj Turqisë në finale të “play-off”-it të Botërorit.
“NJOFTIM ZYRTAR. Kompania Beni Dona njofton opinionin publik dhe komunitetin sportiv se, në shenjë mbështetjeje dhe motivimi për Kombëtaren e Kosovës në njërën nga ndeshjet më të rëndësishme për futbollin kosovar, ka vendosur të ofrojë një shpërblim prej 20,000 (njëzet mijë) euro për futbollistin e Kombëtares së Kosovës që do të realizojë golin e parë në ndeshjen e sotme ndërmjet Kosovës dhe Turqisë”, njofton “Beni Dona”. /Gazeta Express