Drejtori sportive i Marseille, Mehdi Benatia, ka thënë se penalltia e dytë e dhënë për Real Madridin mbrëmë i ka lënë “të njëjtën shije” si shtatë vite më parë, kur ai luante për Juventusin.
Marseille shprehi pakënaqësinë me arbitrimin në humbjen 2-1 ndaj Real Madridit të martën.
Benatia kujton penalltinë ndaj Juventusit
“Los Blancos” u shpërblyen me dy goditje nga pika e bardhë, të dyja të shënuara nga Kylian Mbappé, por klubi francez kritikoi ashpër gjyqtarin Irfan Peljto, veçanërisht për penalltinë e dytë.
Trajneri italian Roberto De Zerbi e quajti vendimin “të turpshëm,” ndërsa Benatia e krahasoi me ndeshjen që ai luajti në “Bernabeu” në vitin 2018.
“Është shumë e vështirë ta pranosh, por e kam përjetuar shtatë vite më parë,” tha Benatia për gazetarët francezë, sipas Calciomercato.com.
“Nuk kam qenë këtu për shtatë vite, por u ktheva dhe ika me të njëjtin ndjenjë. Shoh lojtarin tim që prek topin, duke bërë një ndërhyrje të drejtë. Është e vërtetë që krahu i tij ishte aty, por ose duhet ta presim, ose bëhet e pamundur ta shmangësh.”
Çfarë ndodhi mes Juventusit dhe Real Madridit në 2018
Benatia i referohej çerekfinales së Ligës së Kampionëve mes Juventusit dhe Real Madridit në “Bernabeu” në vitin 2018.
“Zonja e Vjetër” po udhëhiqte 3-0 në Madrid pas humbjes 3-0 në ndeshjen e parë në Torino, por gjyqtari Michael Oliver akordoi një penallti në minutat e fundit për një shtyrje të Benatias ndaj Lucas Vázquez. Cristiano Ronaldo shënoi nga pika e bardhë, duke shkaktuar protesta të furishme nga Juventusi në fushë dhe jashtë saj. /GazetaExpress/