Problemet me shpatull i janë shfaqur qe një kohë Jude Bellinghamit.
Mirëpo, futbollisti anglez kishte vendosur t’i shtrëngonte dhëmbët dhe të vazhdonte, përkundër dhimbjeve të mëdha.
Madje, me këto dhimbje ish-futbollisti i Borussia Dortmundit thuhet se po përballet qe një vit e gjysmë, qysh prej para periudhës së Euro 2024.
E tash duket se ka ardhur momenti për t’iu dhënë fund këtyre dhimbjeve, shkruan “Gazeta Express”.
Futbollisti i Real Madridit në fakt ka vendosur që t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik pas Botërorit të Klubeve.
Deri tash s’ka mundur ta bënte këtë shkaku i angazhimeve të shumta dhe të rëndësisë së ndeshjeve.
Në kokën e mjekëve të klubit madrilen nuk ka pasur kurrë dyshime për faktin se do të jetë i domosdoshëm operimi, por tema ka qenë që të shtyhet një gjë e tillë sa më gjatë të jetë e mundshme.
Dhe sot mediumi spanjoll “Sport” raporton se tashmë është marrë vendimi definitiv.
Futbollisti dhe stafi mjekësor i Real Madridit janë dakorduar që të bëhet intervenimi kirurgjik pas përfundimit të Botërorit të Klubeve, i cili do të nisë më 14 qershor dhe do të përfundojë më 13 korrik.
Pas operimit do të jetë e pashmangshme që të ndiqet një periudhë e rikuperimit, e cila mund të zgjasë deri në 3 muaj.
Kështu, rikthimi i futbollistit ofanziv në fushën e blertë mund të ndodhë në vjeshtën e këtij viti.
Pas operimit mund ta shohim një Bellingham edhe më të fortë. /Gazeta Express